Hajnat thyejnë tri xhami në Kamenicë, në njërën vjedhin 300 €, në dy tjera “dështojnë”
2-Second
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Hajnat thyejnë tri xhami në Kamenicë, në njërën vjedhin 300 €, në dy tjera “dështojnë”
xhami
07/04/2026 - 09:34
Linku u kopjua

Tri xhami në komunën e Kamenicës janë “thyer” ditëve të fundit, njofton policia e rajonit të Gjilanit.

Në njërën nga to janë vjedhur 300 euro në monedha metalike kurse në dy tjera hajnat nuk kanë arritur të marrin asnjë gjë, për shkak se e patën të pamundur të hapin arkat ku mbahen paratë që kryesisht i japin njerëzit si bamirësi (sadaka).

Vjedhja më e rëndë u krye në Shipashnicë të Poshtme, më 3 prill, ku siç bëhet e ditur, një person është vërejtur, përmes kamerave, duke hyrë në xhaminë e këtushme.

“I dyshuari me forcë ka thyer kasafortën dhe ka arritur të marrë rreth 300 euro para të gatshme në monedha metalike”, thuhet në raportin e policisë, përcjellë KosovaPress.

Ky rast edhe vlerësuar si “vjedhje në tentativë”, për dallim nga dy tjerat që kanë marrë epitetin e “vjedhjeve të rënda në tentative”.

Njëra ndodhi në fshatin Topanicë, më 5 prill, ku sipas imamit të kësaj shtëpie fetare, persona të panjohur kanë dëmtuar kasafortën e xhamisë, por nuk kanë arritur të marrin asgjë.

Tentimi tjetër është regjistruar në Rogoqicë, po ashtu më 5 prill. Edhe ky rast është raportuar nga imami, i cili e kishte detektuar problemin përmes kamerave të sigurisë.

“Një person kishte hyrë në objektin e xhamisë dhe ka tentuar të thyejë kasafortën me mjete të forta, por pa sukses, duke shkaktuar vetëm dëme materiale”, thuhet në njoftim të policisë.

Në asnjërin nga këto tri raste, nuk janë kapur të dyshuarit. Hetimet për ta thuhet se janë duke vazhduar.

Dënimet për futje me dhunë dhe vjedhje në xhami mund të shkojnë deri në disa vite.

Në një kësi rasti, Gjykata në Prizren kishte dënuar një person me 3 vjet burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vjedhje në Xhaminë e Prizrenit, në të cilën kishte hyrë me dhunë dhe kishte marrë paratë që gjendeshin aty. /KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026