Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të insistojë në idenë që presidenti i ardhshëm i Kosovës të jetë figurë jopartiake dhe konsensuale, duke e konsideruar këtë si zgjidhjen më të përshtatshme për rolin unifikues që parasheh Kushtetuta.
Anëtarja e Kryesisë së kësaj partie, Arbërie Nagavci, tha në “Intervista Zgjedhore” të KosovaPress, se subjekti i drejtuar nga Albin Kurti do të angazhohet edhe pas votimeve parlamentare të 7 qershorit, për zgjedhjen sa më të shpejtë të presidentit ose presidentes së vendit, duke favorizuar një figurë që nuk vjen nga partitë politike.
“Ne besojmë që do të kemi një president, presidente konsensuale. Idealja do të ishte të vinte nga, domethënë jashtë partive. Tani unë nuk mund të flas sot për insistim, unë jam e bindur, e sigurt që ne përsëri do të bëjmë gjithçka që është në mandatin tonë që të zgjedhim sa më parë që është e mundur presidentin ose presidenten e vendit, sapo të votohet Kuvendi, domethënë të krijohet hapësira për zgjedhjen e presidentit apo presidentes. Edhe gjithë kjo situatë, jo vetëm gjatë kohës së fundit, por edhe në legjislaturat ose nga presidentët e kaluar, e bën të qartë që idealja do të ishte që të kemi një president apo presidente e cila nuk vjen nga subjektet, nga forcat politike, për shkak edhe të rolit që i jep detyrës, përgjegjësisë që jep Kushtetuta, ku tregon që presidenti, presidentja e vendit duhet të jetë një person që është mbi palët, person unifikues”, thotë ajo.
Pas shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja si pasojë e dështimit të zgjedhjes së presidentit muajin e kaluar, ish e para e vendit, Vjosa Osmani, tashmë si bartëse e listës elektorale të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka ashpërsuar gjuhën ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.“Mendoj që është shumë e dëmshme për vendin tonë. E konsideroj personalisht shumë të dhimbshme të shoh një ish-presidente të vendit e cila për interesa personale në kohë fushate flet gjysmë të vërteta, të pavërteta apo gjëra të tilla fare jo të përmenden, aq më shumë për faktin që nëse ka pasur njohuri të situatave të tilla është dashur t’i thotë në kohë. Mendoj që kjo nuk është një gjë e mirë për institucionin e presidencës, për presidenten. Është legjitime të garosh, ka shumë gjëra për të folur, mund të flasë për programin, mund të flasë për qeverisjen, mund të flasë për gjëra të cilat janë”, deklaron ajo.
Nagavci për KosovaPress foli edhe për polemikat e krijuara pas deklaratës së nënkryetarit të LVV-së, Glauk Konjufca, për temën “frizerkat”, duke thënë se ajo është nxjerrë nga konteksti për interesa politike dhe partiake dhe se nuk kishte aludim të ish kryetarit të Kuvendit për ish-presidenten Osmani.
Ajo konfirmon ekzistimin e një grupi në ËhatsApp për koordinimin e punës në Kuvend, duke shtuar se kjo praktikë është përdorur për të shmangur dështimin e votimeve në mungesë të deputetëve në sallë, ose në mbledhje të komisioneve.
Ndërkaq, duke komentuar rolin e Dejona Mihali në Vetëvendosje, Nagavci thotë se ajo kontribuon në hartimin e politikave dhe konsultimeve të brendshme.
Kandidatja për deputete mohon të ketë dijeni që Mihali shkruan fjalime për deputetët, por thekson se përvoja dhe angazhimi i saj brenda LVV-së e bëjnë një prej adresave kryesore për konsultime politike dhe legjislative.