Behrami: Specialja është mbështetur në narrativa që burojnë nga aparati shtetëror i Serbisë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Behrami: Specialja është mbështetur në narrativa që burojnë nga aparati shtetëror i Serbisë
Gjykata
19/07/2026 - 18:34
Linku u kopjua

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka akuzuar Dhomat e Specializuara se një pjesë të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e kanë ndërtuar mbi materiale dhe narrativa që, sipas tij, burojnë nga aparati shtetëror i Serbisë.

Në një reagim publik, Behrami tha se Serbia, të cilën e akuzon se synon "ringjalljen e politikave të Millosheviqit" dhe spastrimin etnik të shqiptarëve, ka qenë burim i dezinformatave në gjykimin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Ai iu referua edhe deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila, sipas tij, ditë më parë kërkoi spastrimin e Kosovës nga shqiptarët, duke e cilësuar këtë si dëshmi të vazhdimësisë së narrativës së shtetit serb.

Sipas Behramit, ekziston një paradoks, pasi nga njëra anë përfaqësues të shtetit serb vazhdojnë të mohojnë krimet e kryera në Kosovë, përfshirë masakrën e Reçakut dhe masakra të tjera, ndërsa nga ana tjetër, po ai aparat shtetëror trajtohet si burim i besueshëm në proceset e Gjykatës Speciale.

“Përveç kriminalizimit të UÇK-së, Gjykata po synon të zbehë përgjegjësinë e Serbisë për krimet e saj dhe t’ia transferojë barrën morale viktimës”, shkruan Behrami.

Ai shtoi se nuk mund të ketë drejtësi mbi standarde të dyfishta dhe as pajtim duke relativizuar, sipas tij, krimet e Serbisë.

“Nuk mund të ketë besim në një proces gjyqësor që mbështetet në narrativën e një shteti, përfaqësuesit e të cilit edhe sot shprehin keqardhje që spastrimi etnik i shqiptarëve nuk u përfundua”, ka shkruar Behrami.

Profesori Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka dhënë komentet e tij rreth deklaratës skandaloze të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila para disa ditësh tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

“E dini, nëse Vuçiqi do të kishte qoftë edhe një qelizë të vetme në trupin e tij që nuk pajtohet me këtë, ai do ta largonte menjëherë atë. Është një deklaratë aq e dënueshme, saqë është vështirë të përshkruhet. Nuk mund ta imagjinoja kurrë një gjë të tillë’’, tha Serwer për Televizionin N1 të Beogradit.

Ndërsa, eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky ka reaguar së fundmi lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq. Në reagimin e tij, Zdechovsky e cilësuar deklaratën e ministres serbe si të papranueshme. Ndër të tjera ai shtoi se duhet kërkuar nxjerrja e Serbisë nga negociatat për integrimin evropian.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla dorëzoi ditë më parë kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026