LVV dhe PDK vazhdojnë “luftën” për anëtarin e dhjetë të KQZ-së
2-Second
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
LVV dhe PDK vazhdojnë “luftën” për anëtarin e dhjetë të KQZ-së
KQZ1234
08/04/2026 - 16:20
Linku u kopjua

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës po vazhdojnë të kundërshtojnë njëra-tjetrën për të drejtën e anëtarit të dhjetë në KQZ. Të dyja partitë të mërkurën sërish i kanë bërë thirrje ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, që të veprojë në këtë drejtim, mirëpo kjo e fundit tha se do të marrë një vendim posa të ketë një analizë të të gjitha shkresave.

KQZ-ja është ende e pakompletuar. Ish-presidentja Vjosa Osmani ka emëruar vetëm nëntë anëtarë, ndërsa për anëtarin e dhjetë ka pasur dilema pasi LVV-ja ka propozuar tre anëtarë, ndërkaq PDK-ja dy sish.

Haxhiu, duke folur si ushtruese e detyrës së presidentit pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se këtë çështje është dashur ta përmbyllë Vjosa Osmani.

“Një proces kushtetues që ka filluar më herët është dashur të përmbyllet me presidenten Vjosa Osmani. Nuk mendoj se është në rregull që një proces që ka filluar më herët ka mbetur i papërfunduar. Do t’i trajtojmë të gjitha çështjet që janë me prioritet, ku edhe jam njoftuar me çështjet që janë prioritare në takimin e fundit. Sapo t’i kemi një analizë të atyre shkresave, natyrisht se do t’ju njoftojmë me kohë”, tha ajo.

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se kolegia e saj partiake, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, duhet sa më parë të emërojë anëtarin e tretë të LVV-së në KQZ.

“Është e drejtë që i takon LVV-së bazuar në legjislacionin në fuqi dhe rezultatin zgjedhor dhe forcave proporcionale të partive në Kuvend. Përbërja e KQZ-së përfaqëson vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje të lira. Ne presim që zonja Haxhiu, si u.d. e presidentes, të emërojë sa më parë anëtarin e radhës në KQZ, që duhet të jetë propozim i LVV-së. Unë besoj se shumë shpejt zonja Haxhiu do ta bëjë këtë”, tha Nagavci.

Të kundërtën e tha nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se anëtari i radhës në KQZ i takon atyre.

“Nuk është çështje diskutimi se i takon PDK-së anëtari i dytë në KQZ. Për këtë çështje ka vendime të mëhershme nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi pritur që presidentja Osmani të nënshkruante një vendim të tillë dhe tani që ka mbetur në dorën e zonjës Haxhiu. Shpresojmë që ajo mos të bëjë shkelje kushtetuese dhe në rast që merret një vendim tjetër sigurisht se PDK-ja do t’i marrë hapat e domosdoshëm dhe do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese këtë çështje”, përfundoi Çitaku./KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026