Presidenti francez Emmanuel Macron tha se nuk beson që lufta midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka “mbaruar plotësisht”, pavarësisht marrëveshjes që u nënshkrua një ditë më parë në Versajë.
Në një intervistë me televizionin France 2, Macron tha se “është gjithmonë më mirë të kesh një marrëveshje sesa një luftë”, por paralajmëroi se ende ekziston rreziku i përshkallëzimit, duke deklaruar se bota po hyn në një “fazë të re bashkëpunimi dhe dialogu”, e cila mund të kontribuojë në stabilizimin e rajonit dhe të mundësojë një rrjedhë më të sigurt të cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
Duke folur për Lindjen e Mesme, presidenti francez i bëri thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të tregojë “përgjegjësi dhe racionalitet”, duke vlerësuar se një operacion ushtarak i zgjatur kundër Hezbollahut në Libanin jugor nuk është në interes të Izraelit, transmeton euronews, përcjell KosovaPress.
“Hezbollahu është një rrezik për Izraelin, kjo është absolutisht e vërtetë, por siguria e shtetit hebre nuk mund të garantohet duke pushtuar territorin fqinj”, tha Macron, duke shtuar se do të përpiqet përsëri të mobilizojë bashkësinë ndërkombëtare për të “ndihmuar ushtrinë libaneze të rimarrë kontrollin e territorit të saj”.Macron njoftoi gjithashtu se Franca do të vazhdojë të mobilizojë bashkësinë ndërkombëtare me qëllim forcimin e rolit të ushtrisë libaneze dhe rimarrjen e kontrollit mbi territorin.
Duke folur për situatën në Ukrainë, Macron vlerësoi “guximin e jashtëzakonshëm” të forcave ukrainase, duke thënë se aftësia e tyre për të prodhuar dhe përdorur dronë tregon një nivel të lartë inovacioni në luftën kundër Rusisë.