Lushaku akuzon Kurtin: Po tenton të instalojë autokraci, kërkesa për 60 për qind është ëndërr e çmendur
Lajme
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Lushaku akuzon Kurtin: Po tenton të instalojë autokraci, kërkesa për 60 për qind është ëndërr e çmendur
20/05/2026 - 17:18
Linku u kopjua
Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për tendenca autokratike dhe për një qasje të papërgjegjshme ndaj shtetit.
Ajo në intervistën zgjedhore të KosovaPressit thotë se kërkesa e kryetarit të Vetyëvensosjes për një shumicë prej 60% të votave në zgjedhjet e 7 qershorit është një “tendencë për të instaluar një sistem autokratik” dhe një “ëndërr e çmendur” që, sipas saj, qytetarët nuk duhet ta lejojnë.
“Me na çuar në zgjedhje dhe me i lyp 60% është komplet e dëmshme për qytetarët, po edhe për vendin tonë, madje është e rrezikshme. Është tendencë me instaluar një sistem autokratik për çfarë Kosova edhe të parët tanë nuk kanë luftuar, as nuk e kanë çliruar vendin për me ia falë një partie politike krejt shtetin. Se kjo është e dëmshme, prandaj i kërkoj prej qytetarëve maturi, reflektim edhe mos me votuar asnjë parti, duke përfshirë partinë time, me 60%, s’ka nevojë. Kosova është vend shumëpartiak, duhet me u ul, me u mësuar, me bërë kompromise, me bërë marrëveshje, edhe me ia dhënë vendit një qeveri që është në të mirën e qytetarëve... Qytetarët ia japin 51% besim për me qeverisur, ai përveç që e çon vendin në zgjedhje, ju kërkon me dënuar opozitën. A e dini çfarë fjalie e dëmshme është kjo? A e dini që kjo është fjali për me instaluar një diktaturë në shtetin tonë? Kosova nuk e meriton asnjë diktator edhe Kosova s’duhet me e lejuar, qytetari i Kosovës duhet mos me ia lejuar dikujt me instaluar dhe me realizuar një ëndërr të çmendur për me instaluar autokracinë në shtetin tonë”, thotë ajo.
Duke folur për dështimin e zgjedhjes së presidentit në prill, që çoi vendin në zgjedhje, Lushaku tha se përgjegjës për këtë është Vetëvendosje, e cila, sipas saj, ka pasur fuqinë më të madhe për t’i ndalur krizat, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Megjithatë, ajo thotë se LDK pas zgjedhjeve do të shfaqet konstruktive dhe e gatshme për t’i dhënë vendit institucione stabile, duke mos e përjashtuar edhe koalicionin me LVV-në.
“Pozicionimi ynë pas zgjedhjeve është edhe pak si me thënë, hipotetik. Ne normalisht që do të ulemi, do të diskutojmë me partitë politike të Kosovës që qytetarët i votojnë, me cilëndo parti. Tek e fundit janë edhe numrat të cilët kanë me na i definuar edhe mundësitë, se numrat, legjitimiteti i qytetarëve, të definon me kë mundesh me u ul, se pavarësisht dëshirës ti s’mundesh me... Ne jemi parti politike edhe në këtë skemë demokratike duhet me qenë të gatshëm që të negociojmë me të gjitha partitë politike. Por, normalisht mbi parime demokratike, që i bie që kemi me definuar programin, kemi me definuar qëllimet, njerëzit, mbi parime të cilat nuk e abuzojnë kushtetutshmërinë e shtetit, e respektojnë në maksimum çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe çdo vendim tjetër, mbi pastërtinë e njerëzve të cilët kanë me qeverisë në Kosovë dhe që nuk e rrezikojnë aleancat dhe pozicionimin tonë krahas aleatëve tanë perëndimorë”, thotë Lushaku.
Lidhur me platformën elektorale të LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, ajo theksoi se partia e saj do të fokusohet në projekte zhvillimore, të cilat sipas saj janë refuzuar nga qeveria e udhëhequr nga Kurti.
Sa i përket bashkimit me figurat e reja, përfshirë Vjosa Osmanin, Lushaku e përshkroi si një “rrugëtim dashamirës për Kosovën”, duke theksuar se LDK-ja mbetet e hapur për të gjithë ata që i ndajnë vlerat e së djathtës së qendrës.
“Ne po garojmë me kandidaten tonë për presidente, mendojmë që Vjosa Osmani duhet të jetë presidente e Kosovës. Është mundësi e mirë që secila parti politike me ia bërë të qartë dhe me ia dhënë mundësinë qytetarëve me votuar për presidentin e Kosovës, për kandidatin për president. Dhe ne ua kemi dhënë mundësinë, e kemi qitë, prej partive politike ia kemi qitë mundësinë qytetarit me votuar për presidentin e Kosovës, urdhëroni edhe e keni mundësinë, Vjosa Osmani është kandidate për presidente. Ndërkohë që si parti politike, kandidati ynë për president është kryetari i partisë, zoti Abdixhiku”, deklaron ajo.
Lushaku ka komentuar edhe incidentin me ish-deputetin e LVV-së, Agim Bahtiri, para seancës për zgjedhjen e presidentit, në prill, duke e cilësuar si një akt “tërësisht të papërgjegjshëm” dhe “tallje” me institucionet, në momentet më kritike për vendin.
“Mua më vjen keq që disa deputetë edhe nuk e kanë njohurinë për politikën, disa deputetë të Vetëvendosjes, s’e kanë njohuri për politikën, s’e kanë peshën e seriozitetit institucional. Kuvendi nuk është shtëpia për hajgare e për teatër e as për spektakël, as me tall partitë politike dy orë ose një orë përpara se me u mbyll afati për president. Të bërit politikë në shtetin e pavarur të Kosovës është çështje serioze edhe kërkon njerëz seriozë me u marrë, e jo me ardh me u tall përpara zyreve të partisë. Aq më pak mënyrën totalisht të papërgjegjshme qysh do e ke me ardh edhe me hy në kohën kur unë isha duke mbajtur konferencë për media, duke dashur me e thy kordonin e gazetarëve dhe me hy brenda. Me të vërtetë më ka ardhur keq për publikun që e panë atë skenë, sepse tek e fundit ne jemi persona publikë, japim shembuj për fëmijët tanë, për fëmijët që janë duke e parë televizionin, për familjet tona, dhe ai u shndërrua në një mjet talljeje për krejt familjet”, përfundon ajo. /KosovaPress/