Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën në Lubizhdë të Hasit, duke rikujtuar se më 12 prill 1999 forcat e Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave rrethuan malet ku ishin strehuar banorë të këtij fshati.
Sipas Kurtit, pasi burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët, ushtarët serbë filluan t’i torturonin dhe i radhitën për pushkatim. Ai tha se të mbijetuarit e kësaj masakre kanë dëshmuar më pas për barbarinë e krimit shtetëror serb ndaj banorëve të Lubizhdës së Hasit, i cili u shoqërua me ekzekutime të planifikuara, tortura, maltretime, plaçkitje, dhunime, dëbime dhe shkatërrim pronash, transmeton KosovaPress.
Ai shtoi se në përballje me forcat serbe dhe në mbrojtje të civilëve ranë dëshmorë edhe 14 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.