Gjykata Themelore të Prishtinë sot ka shpallur aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj dy të akuzuarve Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin e dënoi me 30 vjet burgim, të gjithë të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili ndodhi më 24 shtator. Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Dy të akuzuarit, Spasojeviq dhe Toliq nuk ishin prezentë në gjykatore, ndërsa Dushan Maksimoviq ishte prezent në momentin kur u shpall vendimi ndaj tyre.
“Të akuzuarin Blagoje Spasojeviq me dënim me burgim të përjetshëm. Në dënimin e shqiptuar nw burgim i llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit. Të akuzuarin, Vladimir Toliq e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm. Në dënimin e shqiptuar me burgim, i llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit. Të akuzuarin, Dushan Maksimoviq e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vjetwsh. Në dënimin e shqiptuar me dënim llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit”, tha ai.
Arrni në arsyetim të vendimit të sotëm tha se tre të akuzuarit përfshirë edhe anëtarë të tjerë kanë sulmuar pjesëtarët policorw më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.Sipas Arrnit, gjithë ky sulm kishte qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë.
“E gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojë dhe shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike e shoqërore të Republikës së Kosovës. Përmes këtij plani mirë të organizuar, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t'ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç'rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku, ndërsa është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe qytetarëve”, deklaroi gjyqtari Arrni.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023 Policia e Kosovës u ballafaqua me sulm terrorist.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator pati ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit, cili ka marr përgjegjësinë për këtë sulm terrorist.
Sipas aktakuzës të akuzuarit kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpërlarje të parasë.
Për Radoiçiqin dhe 40 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, Prokuroria Speciale kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.
Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë. /B.Ibishi/