Drejtori i Drejtorisë së Kadastrit në Kryeqytet, Gent Begolli, i është drejtuar zyrtarisht Agjencisë Kadastrale të Kosovës me kërkesë për ndërmarrjen e masave urgjente që do të mundësonin përshpejtimin e trajtimit të lëndëve pronësore gjatë periudhës verore.
Në kërkesën e adresuar përmes postës elektronike zyrtare, është ngritur shqetësimi për vonesat që po shkaktohen në procedimin e lëndëve për shkak të ngarkesës së sistemit. Një nga arsyet kryesore të këtyre vonesave lidhet me faktin se lëndët që kthehen për plotësim te noterët rikthehen sërish në radhën e pritjes sipas datës fillestare të aplikimit, duke krijuar bllokime në proces dhe duke ndikuar në zgjatjen e afateve të trajtimit për lëndët e tjera.
Kjo kërkesë merr rëndësi të veçantë gjatë muajve të verës, kur një numër i madh i bashkatdhetarëve qëndrojnë përkohësisht në Kosovë dhe kanë nevojë të përfundojnë procedurat pronësore brenda afateve të arsyeshme.
Po ashtu, Drejtoria e Kadastrit ka kërkuar edhe përmirësime teknike në sistem, në mënyrë që zyrtarët të njoftohen menjëherë pas plotësimit të komenteve nga noterët, si dhe të shmanget trajtimi paralel i së njëjtës lëndë nga më shumë se një zyrtar në të njëjtën kohë.