Mbi 2 mijë anëtarë do të jenë pjesë e ekipeve të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit. Ky vendim u miratua në mbledhjen e radhës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas vendimit të KQZ-së ekipet e numërimit do të verifikojnë rezultatet subjekteve politike të evidentuar në formularë pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe në numërimin e votave të kandidatëve për deputet.
“Rekomandojmë emërimin e 2 mijë e 212 anëtarëve të cilët do të jenë pjesë e 508 qendrave të numërimit në 38 komunat e Kosovës. Dua të theksoj këtu gjithashtu faktin që KQZ-ja, kur ka dërguar njoftimet për nominimet e anëtarëve të këshillave apo të ekipeve të numërimit në QKN, ka kërkuar nga subjektet politike që ato të mos dërgojnë emra të cilët kanë qenë të përfshirë në të themi parregullsitë që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve të fundit. Dhe për këtë mbajnë përgjegjësi në këtë rast subjektet politike, nëse në ndonjë prej rasteve ato kanë dërguar persona apo individë që kanë mundësi të jenë të përfshirë. Natyrisht, ne si anëtarë të KQZ-së, po edhe sekretariati gjithashtu, pra aq sa ka mundur ka qenë i përfshirë në mospërfshirjen e tyre, por se në fund përgjegjësia natyrisht do t’iu mbetet subjekteve politike mbi përbërjen e listës së këtyre trupave që do të merren me procesin e numërimit të votave apo fletëvotimeve për kandidatë”, tha Krasniqi.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u akredituan edhe 72 organizata apo mbi 15 mijë e 700 vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen këtë fundjavë.“Bëhet fjalë për Radio-televizija Vojvodine e cila ka aplikuar si medie vendore me ç’rast në bazë të regjistrave zyrtare që posedon Kosova kjo medie nuk është e regjistruar si medie vendore”, deklaroi ai.
Gjatë mbledhjes së sotme organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor të 7 qershorit mori vendim edhe për emërimin e 153 anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta nga komuna të ndryshme për vendet e paplotësuara.