“Kosova po ballafaqohet me fushata të dezinformimit nga Rusia dhe Serbia”, kërkohet angazhim gjithëpërfshirës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
“Kosova po ballafaqohet me fushata të dezinformimit nga Rusia dhe Serbia”, kërkohet angazhim gjithëpërfshirës
Përpjekje gjithëpërfshirëse për luftimin e dezinformimit u kërkua të mërkurën në konferencën “Demokracitë rezistente në epokën e informacionit”, raporton KosovaPress.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se dezinformatat për Kosovën vijnë më shumë nga Rusia dhe Serbia.
“Po takohemi në një epokë ku mjedisi informativ është bërë një dimension i rëndësishëm i stabilitetit demokratik. Dezinformimi dhe ndikimi në informacion nuk janë më sfida imagjinare, por përpjekje të qëllimshme, shpesh të organizuara dhe të qëllimshme për dobësimin e institucioneve, duke çorientuar debatin publik dhe duke krijuar pasiguri brenda shoqërisë sonë. Për Kosovën kjo nuk është brengë e largët, pasi po vazhdojmë të ballafaqohemi me fushata të dezinformimit që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Serbia, të cilat përpiqen të cenojnë shtetësinë tonë dhe keqësojnë realitetin, duke ndikuar në perceptimin vendor dhe ndërkombëtar”, tha ai.
Nevojën për luftim të dezinformatave e theksoi edhe ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen.
“Mbrojtja e demokracisë kërkon jo vetëm institucione të fuqishme por edhe qytetarë të informuar dhe të angazhuar. Sot siguria formësohet nga mënyra sesi navigojmë në mënyrën digjitale dhe si reagojmë ndaj manipulimeve. Demokracitë definohen nga aftësia sesi adaptohen me këtë dhe ku bazohen te njerëzit, mendimi kritik dhe angazhimi i përgjithshëm në informacion... Edukim medial, ky investim afatgjatë është shpaguar, demokracitë tona janë reziliente jo pse e kufizojnë informacionin por qytetarët janë të aftë të bëjnë dallimin mes informacionit dhe dezinformatës”, tha ajo.
Ndërkaq, gazetari dhe eksperti i komunikimit strategjik, Markku Mantila, vuri në pah rrezikun e dezinformimit edhe përmes Inteligjencës artificiale
“Mjedisi, ambienti i ri informativ, interneti është kthyer në befasi të madhe dhe askush nuk mund të priste që mediat sociale do të ktheheshin në një anë në duart e disa personave apo grupeve. Nuk befasohem që ka vende që u thonë të rinjve që mos të kalojnë shumë kohë në media sociale.... Asnjëherë në historinë e njerëzimit nuk ka qenë kaq e lehtë që të përhapet informacioni por edhe dezinformimi. Mund t’iu them se nuk do të bëhet më e lehtë nga ana jonë kur Inteligjenca artificiale të zhvillohet më tutje. Do të jetë më e lehtë të gënjehet para audiencave”, tha ai.
Kjo konferencë u organizua nga ambasada e Finlandës në Kosovë. /KosovaPress/
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.