Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nga një takim me drejtuesit e ministrisë së mbrojtjes dhe ushtrisë serbe dy ditë më parë deklaroi se “situata e sigurisë është disi më e ndërlikuar se në janar, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës”.
Deri më tani diplomacia shqiptare ka artikuluar qëndrime paqësore ndërsa Serbia armatoset çdo ditë me armë nga Kina dhe Rusia, shkruan Top Channel.
Hoxha theksoi se Shqipëria nuk është pjesë e asnjë aleance kundër Serbisë dhe mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit rajonal. Hoxha tha se e vetmja aleancë në të cilën Shqipëria bën pjesë është ajo e NATO-s.
“Së pari, pretendimet për një të ashtuquajtur “aleancë tripalëshe” kundër Serbisë janë të pavërteta dhe tërësisht të ekzagjeruara. Sado me forcë apo në mënyrë të përsëritur të përmendet kjo, nuk e bën të vërtetë. Shqipëria nuk është pjesë e asnjë aleance rajonale apo tjetërsoj të drejtuar kundër ndonjë vendi të rajonit. Ne ndajmë të njëjtën qasje me partnerë dhe aleatë të tjerë rajonalë, përfshirë Kroacinë, për këtë çështje. E vetmja aleancë ku Shqipëria bën pjesë është Aleanca Atlantike, NATO, së bashku me Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe vende të tjera aleate, e cila i ka dyert e hapura edhe për Serbinë”, tha ai gjatë një prononcimi për Top Channel.“Në këtë kuadër, çdo bashkëpunim me partnerët tanë synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike – jo kundër ndokujt dhe aq më pak kundër Serbisë. Kjo është një zgjedhje sovrane e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, dhe Shqipëria është e gatshme ta mbështesë në mënyrë konstruktive dhe të vazhdueshme”, tha ai.
Ministri theksoi gjithashtu se Shqipëria ka zgjedhur të mos përfshihet në retorika të panevojshme.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të marrëdhënieve normale dhe konstruktive me Serbinë,” deklaroi Hoxha, duke shtuar se e ardhmja e rajonit duhet të ndërtohet mbi dialogun dhe integrimin evropian.
“Në të njëjtën kohë, ndërsa mbështet në mënyrë të pakushtëzuar Kosovën, zhvillimin dhe modernizimin e saj dhe avancimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit në rrugën euroatlantike, Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të marrëdhënieve normale dhe konstruktive me Serbinë. Kjo është në pajtim të plotë me qëndrimet tona parimore dhe pjesë e një vizioni më të gjerë për një rajon që, nëse nuk e harron të kaluarën, bën çdo përpjekje për ta kapërcyer atë përmes dialogut, bashkëpunimit dhe integrimit evropian.
“Eshtë e rëndësishme të ndajmë qartë faktet nga perceptimet. Është e vërtetë që Serbia ka rritur kapacitetet e saj ushtarake dhe ka zhvilluar bashkëpunime në këtë fushë me aktorë të ndryshëm, përfshirë Rusinë dhe Kinën. Kjo është një zgjedhje sovrane e saj. Kjo nuk kalon pa u vënë re, as këtu, as në Bruksel dhe, dua të besoj, as në Uashington. Por njëkohësisht, kjo nuk duhet të përdoret për të krijuar një klimë alarmi apo për të justifikuar përshkallëzime të panevojshme në rajon”, tha ai.
“Lidhur me Republikën e Kosovës, nuk besoj se ka nevojë për ndonjë koment shtesë pasi qëndrimi ynë është i njohur dhe i qartë: Shqipëria mbështet fort e pa asnje medysheje sovranitetin dhe integritetin territorial të saj dhe dënojmë çdo veprim apo retorikë që cenon stabilitetin në veri apo diku tjetër. Por po aq e rëndësishme është që të ruhet qetësia, të shmangen provokimet dhe të ecet përpara përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha ai.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e KFOR-it si një faktor kyç për sigurinë në rajon.
“Roli i KFOR-it është thelbësor edhe si faktor parandalues ndaj çdo veprimi që mund të cenojë stabilitetin në veri të Kosovës apo më gjerë. Prania e tij është një mesazh i qartë se siguria në Kosovë dhe në rajon nuk lihet në vakum, por mbështetet në një arkitekturë të fortë ndërkombëtare sigurie, ku NATO dhe aleatët luajnë një rol të pazëvendësueshëm”, tha ai.
“Në fund, dua të theksoj se paqja nuk është dobësi dhe qetësia nuk është mungesë reagimi. Përkundrazi, është një zgjedhje strategjike. Shqipëria nuk do të bëhet pjesë e retorikave që ushqejnë tensione, por do të vijojë të jetë një faktor stabiliteti, duke vepruar me maturi, në koordinim të plotë me aleatët dhe me fokus të qartë: sigurinë, paqen dhe të ardhmen evropiane të rajonit”, tha ai.