Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua më 19 prill të atij viti nga kryeministrat e atëhershëm të të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Ajo pasoi muaj negociatash intensive, të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.
“Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë treguar. Është shumë e rëndësishme që ajo që po shohim tani, është një hap larg nga e kaluara dhe për të dyja vendet, një hap më afër Evropës”, tha atëkohë Ashton.
“Kjo marrëveshje sot paraqet fillimin e një epoke të re - atë të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë në shërimin e plagëve të rënda të së kaluarës, nëse kemi urtësinë dhe mençurinë për ta zbatuar në praktikë”, tha Thaçi në atë kohë.
Përtej shpresës së krijuar tash e 13 vjet, zhvillimet në terren tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj urtësie dhe mençurie mbetet për t’u dëshmuar.Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur mospërputhje me Kushtetutën në disa parime. Ndonëse ka lënë hapësirë për harmonizim, në Prishtinë ka pasur rezerva të vazhdueshme, për shkak të, siç është thënë, ndikimit të mundshëm të Asociacionit në funksionalitetin e shtetit, ndërsa Brukseli dhe Beogradi kanë këmbëngulur në themelimin e tij.
Në fund, pavarësisht dhjetëra takimeve, një draft-statuti evropian dhe një marrëveshjeje të re pas dhjetë vjetësh, procesi ka mbetur në vendnumëro.
Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai vlerëson se Kosova paguan çmim në siguri, në stabilitet dhe në orientimin e saj drejt së ardhmes, derisa politikat e saj mbeten kryesisht të brendshme dhe jo të përshtatura mjaftueshëm në kontekstin më të gjerë evropian dhe gjeopolitik.
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse është e hapur për një fazë të re të dialogut me Serbinë dhe për mënyrën se si planifikon ta shmangë ngecjen, por nuk mori përgjigje.
Gjatë prezantimit të kabinetit të ri qeveritar, muajin e kaluar, Kurti tha se Qeveria e tij do ta ndjekë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes një dialogu konstruktiv dhe kreativ.
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja amerikane deklaroi këtë javë se presidenti Donald Trump pret angazhim të qartë nga Kosova dhe Serbia për të punuar së bashku, për të ulur tensionet dhe për t’u rikthyer në një dialog real, jo vetëm deklarativ. Sipas Tammy Bruce, SHBA-ja do të punojë nga afër vetëm me liderë që “shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara”.
Për Petritschin, hapi i parë duhet të vijë nga Prishtina, e cila duhet t’u ofrojë serbëve përgjegjësi konkrete kulturore, gjuhësore dhe administrative, sipas Marrëveshjes së Brukselit. Kjo do të sinjalizonte, sipas tij, një qasje të re bashkëpunuese dhe do të krijonte mundësinë për një marrëdhënie të vërtetë me përfaqësuesit serbë. Edhe nëse Serbia do ta kundërshtonte, do të dilte ajo si bllokuese e procesit.
“Ka qenë e qartë që nga fillimi se evropianët nuk do të lejojnë krijimin e një tjetër Republike Sërpska. Kemi paguar një çmim të lartë për të në Bosnje e Hercegovinë dhe nuk duam që ajo të përsëritet në Kosovë. Andaj, qartazi, bëhet fjalë për çështje kulturore, gjuhësore dhe administrative që duhet të zgjidhen”, thotë Petritsch.
Rikard Jozwiak, redaktor për çështjet evropiane i Radios Evropa e Lirë, thotë se BE-ja po bën përpjekje aktive për një takim të ri mes Kurtit dhe Vuçiqit, i cili pritet të mbahet në fund të pranverës, por data e saktë dhe realizimi i tij do të varen nga zhvillimet në terren.
“Nuk ka pasur kurrë më shumë optimizëm për një takim mes dy liderëve që kur Kaja Kallas ka marrë detyrën si shefe e politikës së jashtme të BE-së. Kjo shihet si mundësia më e mirë në gati një vit e gjysmë që një takim i tillë të ndodhë. Kur saktësisht, nuk dihet, por shpresat janë për diku rreth majit ose qershorit”, thotë Jozwiak për Exoposenë.
Ai paralajmëron se kjo status quo mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme, por shton se Evropa është bërë indiferente ndaj këtij rreziku, ndërsa udhëheqësit në Prishtinë dhe në Beograd kanë mësuar të jetojnë me të, e madje edhe të përfitojnë prej tij.
Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, shtetet e vogla dhe politikisht të brishta janë “të parat që bien” kur shpërthejnë kriza, thotë ai.
Me pasiguritë mbi rolin e NATO-s dhe të ardhmen e angazhimit amerikan, Petritsch paralajmëron se Kosova “nuk mund të lejojë status quo”.
“Kosova në vitin 1999 ishte i vetmi vend në histori që u çlirua nga një aleancë që mori armët. Dhe kjo, sipas meje, i vendos një përgjegjësi të veçantë asaj: të veprojë me maturi, të bashkëpunojë, të bëjë atë që është e nevojshme dhe të shkojë një hap më tej, për t’u bërë pjesë e familjes së shteteve evropiane”, thotë Petritsch.
Kosova, e cila ende nuk njihet nga pesë vende të Bashkimit Evropian, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka status kandidati për anëtarësim në këtë bllok.
Sipas Jozwiakut, i gjithë Ballkani Perëndimor zë tani një vend të ulët në agjendën e BE-së - është i rëndësishëm, por dukshëm në hije nga luftërat në Ukrainë dhe në Iran... derisa ndonjë krizë serioze të mos provokojë vëmendje.