Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj shtatë të pandehurve, të dyshuar për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i Kodit Penal të Kosovës. Të pandehurit janë identifikuar me inicialet M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M.
Sipas njoftimit të gjykatës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokuroria Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit, pasi vlerësoi se ekziston rreziku real i arratisjes së të pandehurve dhe pengimit të zhvillimit normal të procedurës penale. Gjykata ka theksuar se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, çka sipas saj rrit mundësinë që ata të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Komunikata e plotë:
Është caktuar masa e paraburgimit ndaj shtatë të pandehurve për veprën penale Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesveGjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale, po ashtu duke marr parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen fare lehtë dhe të jenë të pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pa mundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale.