KOK dhe FVK forcojnë bashkëpunimin, sytë drejt Lojërave Mesdhetare 2030
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
KOK dhe FVK forcojnë bashkëpunimin, sytë drejt Lojërave Mesdhetare 2030
Krerët e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari Besim Aliti, kanë vizituar selinë e Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK) për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm të zhvillimit të këtij sporti.
Gjatë takimit me presidentin e FVK-së, Bahri Gjinovci, dhe sekretarin Valon Nikqi, u vlerësua lart organizimi i suksesshëm i "Final Four" të Kupës së Kosovës.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin në lëvizjen olimpike, drejtuesit e KOK-ut i dorëzuan një plaketë të veçantë presidentit Gjinovci, duke përgëzuar komunitetin e volejbollit për progresin e dukshëm në arenën vendore.
Fokus i veçantë i këtij takimi ishin përgatitjet strategjike për garat e ardhshme ndërkombëtare, ku volejbolli pritet të ketë një rol kyç.
Palët diskutuan për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare "Taranto 2026", por mbi të gjitha për koordinimin e punëve për projektin madhor "Prishtina 2030", ku Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare.
Ky bashkëpunim ndërinstitucional u cilësua si një hap jetik për avancimin e mëtejmë të sportit në vend dhe përforcimin e strukturave që do të garantojnë një përfaqësim dinjitoz të volejbollit kosovar në skenën ndërkombëtare.
KosovaPress