DokuFest shpall të gjithë filmat në garë për këtë 25-vjetor jubilar. Prej numrit rekord të filmave të dërguar prej 3687 filmash për t'u marrë konsideratë nga festivali, ekipi i programuesve ka përzgjedhur 104 filma të cilat do të garojnë në 8 kategori, e një pjesë e mirë prej tyre janë premiera botërore, ndërkombëtare dhe evropiane duke e fuqizuar statusin e DokuFest-it si një hapësirë e rëndësishme për njohje dhe vlerësim të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër në këtë anë të botës.
"Me këtë përzgjedhje, DokuFest vazhdon traditën e sjelljes së filmave më të rinj dhe më guximtarë të vitit, duke trajtuar njëkohësisht disa nga çështjet më urgjente dhe më të mprehta globale mes tyre. Jemi të entuziazmuar që këtë vit prezantojmë një përzgjedhje të jashtëzakonshme kineastësh në ngritje dhe mezi presim të shohim reagimin e publikut ndaj veprave të tyre novatore", thuhet në njoftim.
Samir Karahoda, udhëheqës i Programit të Filmit të Shkurtër në DokuFest, thotë:
"Edhe këtë vit, DokuFest vazhdon të sjellë autorë që sfidojnë format tradicionale të rrëfimit dhe na ftojnë ta shohim botën nga këndvështrime të reja. Në një kohë kur bota po ndryshon me ritme të shpejta, filmi i shkurtër mbetet hapësira ku autorët guxojnë të eksperimentojnë, të trajtojnë tema të ndjeshme dhe të vënë në pikëpyetje realitetin që na rrethon. Përzgjedhja e këtij viti bashkon zëra nga vende të ndryshme, duke na ftuar të shohim me më shumë vëmendje dhe të kuptojmë më thellë kohën në të cilën jetojmë.bashkëkohore."
Në ditët në vijim, DokuFest do të vazhdojë me shpalljen e programeve të tjera, përfshirë seksionin shumë të pritur si View from the World, programin Country in Focus, anëtarët e jurive, si dhe një sërë programesh të kuruara posaçërisht, diskutimesh në panel, bisedash, masterclass-ash dhe performancash muzikore që do të zhvillohen gjatë festivalit.