Trajneri i KF Prishtina e Re, Qëndrim Kida, ka folur për herë të parë në detaje rreth largimit të tij nga Malisheva, duke mohuar pretendimet se kishte kërkuar kushte të larta financiare për të vazhduar bashkëpunimin me klubin.
Në emisionin SportCast, Kida ka sqaruar se kushtet e kontratës së tij deri në fund të muajit qershor kanë qenë ato që ishin përcaktuar nga vetë drejtuesit e klubit dhe se mosmarrëveshja kishte të bënte vetëm me bonusin për kualifikimin historik të Malishevës në garat evropiane.
“Është folur shumë pasi kam dalë unë, duke u thënë se kam kërkuar shumë. Kushtet e mia deri në fund të qershorit kanë qenë ashtu siç i ka caktuar vetë presidenti. Problemi ka qenë vetëm te një bonus, të cilin unë e kam merituar dhe fituar, pasi ka qenë i paraparë në kontratë. Në kontratë ka qenë e shkruar se, në qoftë se del në Evropë, do të shpërblehesh me një shumë të caktuar. Momenti kur kemi biseduar për të vazhduar edhe një vit tjetër, kërkesa e tyre ka qenë që ta fal bonusin dhe ta nënshkruaj kontratën e re. Unë nuk kam qenë i pajtimit. Ajo shumë ka qenë dhe ende është e konsiderueshme për mua, pasi nuk është paguar e plotë, por vetëm një pjesë e vogël. Prej asaj dite ata ende më kanë borxh. Nuk e kam parë kurrë të arsyeshme ta fal një bonus që e kam merituar. Të mirat materiale që ia kemi siguruar Malishevës me daljen në Evropë kanë qenë historike. Për mua ka qenë e pakuptimtë ta fal atë bonus dhe të vazhdoj me të njëjtën kryesi. Kjo ka qenë pika kryesore, por kanë qenë edhe disa pika të tjera që i kemi shqyrtuar. Megjithatë, kurrë nuk ka qenë e vërtetë se kam kërkuar kushte shumë të mëdha. Kam komunikuar me ta dhe ata kanë thënë se do ta paguajnë bonusin, por deri më tash nuk kanë arritur ta bëjnë. Mbetet në ndërgjegjen e tyre. Për mua është e pakuptimtë mënyra se si kanë dalë në media dhe mënyra se si është folur për mua, sikur unë kam kërkuar shumë. Unë thjesht kam kërkuar të vlerësohem për punën që e kam bërë.”, zbuloi Kida.
Qëndrim Kida e drejtoi Malishevën drejt një prej sukseseve më të mëdha në historinë e klubit, duke siguruar kualifikimin në garat evropiane. Pas përfundimit të sezonit, ai u largua nga klubi mes raportimeve për mospajtime rreth vazhdimit të bashkëpunimit.