Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e mbajtur sot, ka shqyrtuar dhe aprovuar një sërë dokumentesh me rëndësi për zhvillimin dhe rregullimin e sektorit energjetik në vend.
Ndër dokumentet e miratuara janë: Bilanci i Energjisë Elektrike për vitin 2026, Rregulla mbi Kompensimin Financiar për Kufizimin sipas Skemave Mbështetëse, si dhe Rregulla për Garancitë e Origjinës. Po ashtu, Bordi ka dhënë dritë jeshile për Planin Pesë-vjeçar për Zhvillimin e Rrjetit të Transmetimit për periudhën 2026-2030 dhe Planin Dhjetë-vjeçar për periudhën 2026-2035. Në këtë mbledhje është miratuar edhe Raporti i vlerësimit të konkurrencës në sektorin e energjisë për vitet 2024-2025.
Një ndër vendimet kryesore ka qenë shqyrtimi i propozimit për vendosjen e obligimit të shërbimit publik për furnizim universal, me ç’rast ky obligim i është caktuar kompanisë KESCO për një periudhë dyvjeçare, deri më 31 mars 2026. Po ashtu, është trajtuar edhe propozimi për përcaktimin e përgjegjësive të Operatorit të Energjisë së Ripërtëritshme.
Sa i përket zhvillimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, Bordi ka aprovuar lëshimin e autorizimit për subjektin juridik “LE Kosovo Reneëable Energy JSC”. Gjithashtu, janë miratuar 53 kërkesa për vetë-konsum, prej të cilave 38 nga persona fizikë dhe 15 nga subjekte juridike, me një kapacitet total prej 2 MW.ZRRE ka bërë të ditur se të gjitha vendimet e Bordit do të publikohen në faqen zyrtare elektronike.