Vrasja e Trump, dëshirë dhe plan i Iranit apo lojë e Netanyahut për t’ua afruar me amerikanin?
2-Second
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Vrasja e Trump, dëshirë dhe plan i Iranit apo lojë e Netanyahut për t’ua afruar me amerikanin?
Netanyahu-Trump
11/07/2026 - 10:35
Linku u kopjua

Në ditën kur Irani e varrosi ish liderin e vetë suprem, Ajatollahun Ali Khamenei, u shfaqën pankarta me kërcënime e “dëshira’ të pjesëmarrësve në ceremoninë mortore për vrasjen e presidentin amerikan, Donald Trump.

Ky i fundit, nuk i bëri të mëdha ato, e as informacionet e shërbimeve inteligjente se përfaqësues të Republikës Islamike përnjëmend duan ta likuidojnë atë.

Në një intervistë për New York Post, ai tha se kërcënimet nga Irani nuk janë diçka e re.

"Izraeli nuk solli asgjë të re. Unë kam qenë objektivi numër një i Iranit për një kohë të gjatë", deklaroi presidenti amerikan për këtë gazetë, transmeton KosovaPress.

Por, raportimet e fundit për kërcënime të reja ndaj Trump kanë shtuar shqetësimet në Uashington, ndërsa inteligjenca izraelite ka ndarë me administratën amerikane informacione që tregojnë se figura të linjës së ashpër në Iran vazhdojnë të kërkojnë eliminimin e tij.

Sipas një burimi izraelit dhe një zyrtari amerikan, informacionet e ndara nga Izraeli nuk përshkruajnë një plan konkret apo të detajuar për atentat, por pasqyrojnë dëshirën e disa elementëve të udhëheqjes iraniane për ta bërë Trumpin objektiv të një sulmi.

Burimet thonë se komandanti i ri i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Ahmad Vahidi, ishte pjesë e grupit që mbështeste një qasje të tillë. Administrata amerikane e konsideron Vahidin pjesë të zyrtarëve që po pengojnë negociatat me Teheranin, ndërsa në rast të rifillimit të një lufte të plotë, SHBA-ja ka shqyrtuar mundësinë e goditjes ndaj tij dhe disa prej figurave kryesore të këtij grupi.

Megjithatë, dy burime amerikane të njohura me çështjen theksojnë se vlerësimet më të fundit të inteligjencës nuk kanë zbuluar ndonjë komplot të ri operacional kundër presidentit amerikan. Sipas tyre, bëhet fjalë për një "zhurmë të vazhdueshme" komunikimesh dhe deklaratash nga aktorë iranianë që shprehin dëshirën për ta vrarë Trumpin, por jo për një plan të gatshëm për ekzekutim. Në ceremonitë mortore për liderin suprem Ali Khamenei, i vrarë në sulmet izraelite në fillim të luftës, më 28 shkurt, shumë pjesëmarrës mbanin pankarta me thirrje për vrasjen e Trumpit.

Paralelisht me raportimet për kërcënimet ndaj tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë reagoi me një mesazh të fortë në rrjetin e tij social Truth Social, ku paralajmëroi Iranin për pasoja të rënda nëse do të ndërmerrej një atentat ndaj tij.

Reagimi erdhi pasi zyrtarët amerikanë i kërkuan Teheranit të garantonte publikisht se Ngushtica e Hormuzit do të mbetej e hapur për lundrim, ndërsa Irani këmbëngulte se korridori strategjik duhet të mbetet nën kontrollin e tij.

"Një mijë raketa janë të gatshme dhe të drejtuara ndaj Republikës Islamike të Iranit, ndërsa mijëra të tjera do të pasojnë menjëherë, nëse qeveria iraniane vepron mbi kërcënimin e saj për të më vrarë ose për të tentuar të më vrasë", shkroi Trump, përcjellë KosovaPress.

Ai shtoi se ushtria amerikane do të "shkatërrojë plotësisht dhe do të zhdukë të gjitha zonat e Iranit", duke e mbyllur mesazhin e tij me frazën "Praise be to ALLAH!", që në shqip do të thotë “Lavdërimi i takon Allahut”, një formulim që ka ngjallur reagime edhe më herët për përdorimin e referencave fetare në deklaratat e tij.

Kërcënimet potenciale për vrasjen e Trump janë komentuar edhe nga Tracy Walder, ish-agjente speciale e CIA-s dhe FBI-së, e cila tha se ato nuk janë të papritura.

"Sinqerisht, nuk jam aspak e befasuar. Ne e dimë me siguri se tentativa të tilla janë penguar më parë. Ka persona që janë nxjerrë para drejtësisë për përpjekje për ta bërë këtë këtu në Shtetet e Bashkuara", deklaroi Walder për NewsNation, transmeton KosovaPress.

Sipas saj, publikimi i inteligjencës izraelite mund të ketë pasur edhe një dimension politik.

"Marrëdhënia mes Trumpit dhe Netanyahut nuk është më aq e mirë sa ishte në fillim të luftës. Një pjesë e imja pyet nëse kjo ishte një mundësi për Netanyahun që ta afronte sërish Trumpin pranë vetes dhe rrethit të tij të ngushtë, duke pasur parasysh gjithçka që po ndodh me sulmet në Ngushticën e Hormuzit", u shpreh ajo.

Walder rikujtoi se Trump ka qenë objekt i disa kërcënimeve serioze edhe gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024 dhe mandatit të tij të dytë. Vetëm në qershori ne kaluar, FBI-ja njoftoi se kishte parandaluar një komplot për vrasjen e presidentit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë gjatë aktivitetit "UFC Freedom 250" në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se falë një operacioni shumë-shtetëror, disa persona u arrestuan dhe sulmet e planifikuara u ndalën përpara se të realizoheshin.

Vetë Trump foli për rrezikun ndaj jetës së tij edhe gjatë samitit të NATO-s në Ankara.

"Jam objektivi numër një në listën e Iranit për t'u vrarë", tha ai. "Jam objektivi i tyre numër një, sepse janë fundërrina."

Shqetësimet për sigurinë e presidentit u shtuan edhe pas vendimit për t'u kthyer nga samiti me avionin e vjetër Air Force One, në vend të avionit të ri të dhuruar nga Katari. Shtëpia e Bardhë tha se ndryshimi u bë me kërkesë të Shërbimit Sekret, si masë shtesë sigurie, ndërsa analistët ngritën pikëpyetje nëse avioni i ri ishte plotësisht i pajisur me sistemet mbrojtëse të nevojshme. /KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026