Komisioni Evropian ka shprehur shqetësimin se projekti i planifikuar në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë mund të ketë ndikime mjedisore që bien në kundërshtim me procesin e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Ditëve të fundit në Shqipëri janë mbajtur protesta kundër punimeve për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, pranë Vlorës, mes shqetësimeve lidhur me ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.
Kjo, sipas tij, përfshin zbatimin e Direktivave për Shpendët dhe Habitatet, shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të miratuara përmes ndryshimeve në Ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe shfuqizimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike.
“Përveç kësaj, për të mbyllur Kapitullin 27, Shqipëria duhet të tregojë kapacitetin e saj për të menaxhuar vendet e ardhshme të Natura 2000 [v.j. rrjet për zonat e mbrojtura natyrore në BE], duke përfshirë masat e ruajtjes që parandalojnë përkeqësimin e habitateve dhe specieve. Shqipëria duhet të përmbahet nga veprimet që mund të dëmtojnë përmbushjen e standardeve të mbylljes”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit Mercier për Radion Evropa e Lirë (REL).Kapitulli 27 përfshin më shumë se 200 akte të rëndësishme ligjore që mbulojnë legjislacionin horizontal, cilësinë e ujit dhe ajrit, menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e natyrës, kontrollin e ndotjes industriale dhe menaxhimin e rreziqeve, kimikatet dhe organizmat e modifikuar gjenetikisht, zhurmën, pylltarinë si dhe ndryshimet klimatike.
Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe renditet e dyta në mesin e vendeve kandidate për sa i përket progresit drejt anëtarësimit.
“Siç është theksuar tashmë në raportin tonë të fundit për Zgjerimin, zgjatja e ligjit për investimet strategjike vazhdon të ngrejë shqetësime lidhur me ndikimet e mundshme mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Ndërkaq, Agjencia për Media dhe Informim, pranë Qeverisë shqiptare, ka konfirmuar se për këtë çështje më 26 maj gjatë një takimi online me përfaqësues të KE-së, ministri shqiptar i Mjedisit, Sofjan Jaupaj informoi se nuk ekziston një projekt përfundimtar i miratuar dhe nuk ka asnjë projekt në ndërtim.
“Ministri theksoi angazhimin e Shqipërisë për të garantuar se çdo projekt i mundshëm zhvillimi i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis, të zhvilluar në transparencë të plotë dhe në konsultim me publikun. Shqipëria mbetet e angazhuar ndaj procesit të anëtarësimit në BE”, tha Qeveria shqiptare.
Zona e Pishë Poro-Nartës është një mjedis i mbrojtur dhe konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata shtegtarë, përfshirë flamingot.
Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner njoftoi se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.