Kanadaja mposhti bindshëm Katarin me 6-0
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kanadaja mposhti bindshëm Katarin me 6-0
Kanada-Katar
19/06/2026 - 09:40
Linku u kopjua

Kanadaja mposhti Katarin me një fitore historike 6-0 në ndeshjen e Grupit B të Kupës së Botës FIFA 2026 në stadiumin “BC Place” në Vancouver.

Kanadaja e nisi mirë ndeshjen, me Cyle Larin që shënoi golin e parë në minutën e 16-të, ndërsa pak më vonë Jonathan David dyfishoi epërsinë në minutën e 29-të. Dy golat i dhanë Kanadasë hapësirën për të eksploruar mundësitë e saj sulmuese, për të ndërtuar ritëm dhe për të marrë kontroll të plotë të lojës, shkruan atsh/aa, transmeton KosovaPress.

Gjërat nisën të përkeqësoheshin për Katarin në minutën e 33-të kur Homam Al-Amin u ndëshkua me karton të kuq. Mbrojtja e Katarit, tashmë me një lojtar më pak, mbeti e pafuqishme për të ndalur një goditje me kokë të Larinit, e cila u shndërrua në golin e tretë të Kanadasë nga Davidi në minutën e 45+3.

Duke e nisur pjesën e dytë me një lojtar më pak dhe me tri gola disavantazh, gjërat nuk mund të bëheshin më keq për Katarin derisa Assim Madibo u përjashtua në minutën e 53-të për një ndërhyrje të ashpër ndaj Ismael Kone.

Lojtarët kanadezë u mblodhën rreth Kones ndërsa stafi mjekësor hyri me barelë në fushë, pasi ai kishte pësuar një dëmtim të rëndë: pjesa e poshtme e këmbës së majtë të Kones dukej e thyer dhe ai u dërgua menjëherë në spital, duke i dhënë fund para kohe pjesëmarrjes së tij në Kupën e Botës.

Të motivuar nga dëmtimi i bashkëlojtarit të tyre, kanadezët vazhduan me edhe më shumë vendosmëri. Nathan Saliba, i futur në lojë në vend të Kones, shënoi golin e katërt të ekipit të tij në minutën e 64-t nga një goditje dënimi, duke ia dedikuar golin Kones pasi ngriti fanellën e tij përpara tifozëve.

Pa e ulur ritmin, Kanadaja realizoi golin e pestë në minutën e 75-të përmes një autogoli të Mohamed Manait, i cili dështoi të largonte një volej të Jacob Shaffelburgut.

Megjithatë, Kanadaja nuk u mjaftua me rezultatin dhe vazhdoi të sulmonte. Goditja e fuqishme e Davidit brenda zonës i siguroi atij “hat-trick” në minutën e 90+2, duke u bërë lojtari i parë që shënon “hat-trick” në një Kupë Bote në vendin organizator që nga Geoff Hurst i Anglisë në vitin 1966.

Kanadaja u bë gjithashtu ekipi i parë jashtë Evropës dhe Amerikës së Jugut që shënon pesë ose më shumë gola në një ndeshje të Kupës së Botës FIFA, sipas Opta-s.

Si rezultat i ndeshjes, Kanadaja u ngjit në krye të Grupit B ndërsa Katari zbriti në fund të renditjes. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026