Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se me hyrjen në stinën astronomike të verës, Kosova do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme, të cilat gjatë ditëve të para të javës do të sjellin vranësira, reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh.
Sipas parashikimit, reshjet e pritshme konsiderohen të favorshme për sektorin e bujqësisë, pasi ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës dhe përmirësimin e kushteve agrometeorologjike për kulturat bujqësore.
Po ashtu, bëhet thirrje për kujdes nga rrezatimi ultraviolet, pasi indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i lartë. Qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve të mesditës dhe të përdorin masa mbrojtëse.
Sipas parashikimit pesëditor, e hëna, e marta dhe e mërkura do të karakterizohen nga mot i ndryshueshëm me reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh, ndërsa nga e enjtja pritet stabilizim i motit dhe rritje graduale e temperaturave.Meteorologët parashikojnë që fundjava e punës të sjellë mot kryesisht të qëndrueshëm, me diell dhe vranësira të shpërndara, duke krijuar kushte të favorshme për aktivitetet në natyrë.