Izraeli shënjestron objektet e Hezbollahut në kufirin libanezo-sirian
Ushtria izraelite tha të premten se bombardoi objektet e Hezbollahut në kufirin Liban-Siri, duke pretenduar se ato po përdoreshin për transportimin dhe ruajtjen e armëve nën tokë.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se si pjesë e përpjekjeve të ushtrisë për të parandaluar kontrabandën e armëve në territoret libaneze, avionët luftarakë goditën një tunel nëntokësor që kalonte nga kufiri libanez në Siri.
"Tuneli 3.5 kilometra i gjatë mundëson transferimin dhe ruajtjen e sasive të mëdha të armëve nën tokë. Operacionet e tunelit u drejtuan nga Njësia 4400, e cila është përgjegjëse për transportin e armëve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij për Hezbollahun në Liban", thuhet në deklaratë.
Ushtria izraelite tha se sulmi shkatërroi ndërtesa ushtarake, depo armësh dhe objekte të tjera, megjithëse Hezbollahu nuk ka komentuar ende incidentin.
Më herët gjatë ditës, Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit tha se ushtria izraelite kreu një sulm ajror duke synuar zonën Masnaa në Libanin lindor, duke prerë rrugën ndërkombëtare që lidh Libanin dhe Sirinë.
Ministri libanez i Transportit Ali Hamieh tha për Anadolu se një sulm ajror izraelit kishte në shënjestër pikën kufitare Masnaa me Sirinë, gjë që çoi në mbylljen e saj.
Kalimi Masnaa ndodhet në rajonin Bekaa në Libanin lindor dhe konsiderohet si një nga pikat më të rëndësishme të kalimit midis Libanit dhe Sirisë.
Izraeli ka nisur sulme masive ajrore që nga 23 shtatori mbi ato që ai i quan objektivat e Hezbollahut.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund të përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale. /AA