Forca politike e kontinentit tonë në dekadat që vijnë do të varet edhe nga anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ky është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik i kohës sonë, sepse siguria, konkurrueshmëria dhe zgjerimi tashmë janë të pandashme: pa përmbyllur ribashkimin e vet, Bashkimi Evropian nuk do të arrijë kurrë fuqinë e nevojshme për të qenë konkurrues në botën e sotme.
Ballkani i përket historisë, gjeografisë dhe perspektivës politike të Evropës. Italia e ka bërë këtë rajon një nga shtyllat kryesore të veprimit të saj diplomatik: si vend i Adriatikut dhe mesdhetar, ne e dimë mirë se siguria e deteve tona lidhet ngushtë me stabilitetin e rajonit. Për këtë arsye, ne mbështesim me vendosmëri përshpejtimin e rrugëtimit të tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për të ribashkuar familjen evropiane dhe për të zgjeruar hapësirën e paqes dhe të mundësive.
Në këtë frymë, Italia promovon Grupin joformal “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, që bashkon shtetet anëtare më të vendosura për ta mbajtur rajonin në qendër të vëmendjes së Bashkimit Evropian. Takimi që organizojmë sot në Romë, me ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit, dëshmon vullnetin e fortë politik të Italisë për t’i dhënë një shtysë të re rrugëtimit evropian të Ballkanit.
Anëtarësimi kërkon reforma të thella: fuqizimin e sundimit të ligjit, një administratë publike më efikase, digjitalizimin dhe institucione cilësore. Italia i mbështet këto përpjekje me mjete konkrete zbatimi. Ne jemi vend udhëheqës në programet e binjakëzimit administrativ dhe të asistencës teknike afatshkurtër, Twinning dhe TAIEX, të cilat përbëjnë një shtyllë themelore të procesit të anëtarësimit, pasi mundësojnë transferimin e njohurive, përvojës dhe kapaciteteve institucionale nga shtetet anëtare drejt vendeve kandidate. Në Ballkan, Italia është shteti anëtar që ka angazhuar numrin më të madh të ekspertëve në këto programe: ne besojmë se integrimi duhet të sjellë përfitime konkrete dhe të ndjeshme në jetën e përditshme të qytetarëve dhe bizneseve që përpara anëtarësimit, duke fuqizuar besimin e tyre te projekti evropian. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë dritëshkurtër shtyrjen e hapave në procesin e anëtarësimit të vendeve si Serbia, e cila tashmë ka shënuar përparim në shumë fusha kyçe.Një kapitull po aq i rëndësishëm është ndërlidhja infrastrukturore. Ballkani Perëndimor është ura që lidh Adriatikun, Mesdheun Lindor dhe Evropën Qendrore. Për këtë arsye mbështesim zhvillimin e korridoreve të mëdha infrastrukturore, duke filluar nga Korridori VIII, që do të lidhë Adriatikun me Detin e Zi, si edhe forcimin e rrjeteve hekurudhore, portuale, energjetike dhe digjitale. Në këtë kuadër shohim edhe Korridorin Indi - Lindje e Mesme - Evropë (IMEC), për të cilin po punojmë së bashku me partnerë si India dhe vendet e Gjirit. Falë pozicionit të saj gjeografik, Italia synon të shndërrohet terminalin evropian të këtyre rrugëve të reja, duke e bërë Ballkanin urën natyrore drejt Evropës eendrore dhe korridoreve euro-aziatike. Çështja e ndërlidhjes është e lidhur ngushtë me autonominë strategjike të kontinentit tonë, sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe sigurinë ushqimore: për këtë arsye, në takimin e sotëm kemi ftuar edhe Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, Maurizio Martina.
Integrimi evropian, zhvillimi ekonomik dhe ndërlidhja kërkojnë gjithashtu një mjedis të qëndrueshëm sigurie. Edhe në këtë drejtim Italia ka marrë përgjegjësi të rëndësishme: kemi udhëhequr katërmbëdhjetë herë misionin NATO KFOR në Kosovë, dy herë misionin EULEX në Kosovë dhe tri herë misionin evropian EUFOR Althea në Bosnje dhe Hercegovinë, duke kontribuar me mjete civile dhe ushtarake për stabilitetin rajonal dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.