Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Gjocaj, vendosi protezën elektronike në vend të dorës që e humbi 28 vjet më parë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës.
Vëllai i tij, Shpend Gjocaj, rrëfen për KosovaPres se Qerimi kishte refuzuar për gati tri dekada çdo mundësi për vendosjen e një proteze, duke zgjedhur të jetonte pa të dhe duke mos pranuar, siç thotë ai, “një pjesë të huaj në trup”.
Sipas tij, pavarësisht se e humbi dorën si 20-vjeçar, Qerimi kishte treguar forcë të jashtëzakonshme morale.
“Qerimi ka qenë i fortë moralisht pas humbjes së dorës si djalë 20-vjeçar. Ai na ka dhënë moral neve. Mua sytë më janë bërë varrë sa herë që më duhej dora e djathtë, më rridhnin lotët. Qerimi na jepte moral. Kaluan vitet dhe ne u mësuam me faktin se Qerimi nuk donte protezë dhe nuk u interesuam më. Me një fjalë, e normalizuam këtë situatë”, tha Shpend Gjocaj.Shpend Gjocaj tha se një mjek, mik i familjes, e kishte nxitur të shqyrtonte mundësinë e protezave moderne, të cilat i ofron teknologjia shumë e avancuar. Sipas tij, teknologjia e re dhe fakti që dëmtimi nuk kishte prekur nervat kryesorë e kanë bërë më të lehtë procesin e përshtatjes së protezës.
“Arsyeja pse ndodhi tani është fakti se në muajin nëntor djali i Qerimit, 14-vjeçar, u diagnostikua me leukemi dhe kjo na tronditi të gjithëve këtu në Neë York. E përjetuam rëndë. Unë luaja rolin e psikologut për Qerimin.Një ditë prej ditësh, Qerimi filloi të kishte probleme dhe shtrëngime në gjoks. Unë e thërras një mik mjek dhe i them se Qerimi ka probleme shëndetësore. Analizat i kishte kaluar mbi normat normale dhe nuk kishim kohë të prisnim termine. Mjeku më tha: ‘Pse, Shpend, nuk provon të gjesh një protezë? Kanë dalë teknologji të reja e të fundit’ Unë ia shpjegova doktorit se nuk ishim interesuar, sepse Qerimi nuk kishte dashur të kishte një pjesë të huaj në trup. Ai kishte dashur të qëndronte origjinal, pa dorë. Edhe ne të tjerët u mësuam me këtë dhe nuk deshëm ta lëndonim më shumë. Pas vizitës dolëm në kafe, unë dhe Qerimi. Gjatë bisedës e kuptova se në të vërtetë Qerimin nuk e kishte munduar shumë kjo gjë për vite me radhë, por dy vitet e fundit kishte filluar ta mundonte shumë vetëm se e kishte mbajtur brenda vetes”, tha ai.
Ngjarja që i ndryshoi jetën Qerim Gjocajt ndodhi më 28 korrik 1998, gjatë luftimeve të ashpra në zonën e Junikut. Sipas vëllait të tij, Shpend Gjocaj, në atë periudhë Juniku ishte i rrethuar nga të gjitha anët nga forcat serbe dhe pika e vetme e depërtimit ishte drejtimi i Zharrës mbi fshatin Gjoçaj.
“Të gjithë ne kemi qenë katër vëllezër dhe babai, por është interesante se nuk kemi qenë asnjëri pranë tjetrit. Kemi qenë të gjithë veç e veç. Kemi pasur një parim që në rrethana të tilla të mos jemi të gjithë vëllezërit bashkë, që as të mos vriteshim të gjithë dhe as të mos binim në emocione nëse plagosej njëri prej nesh. Prindërit e mi kanë pasur 12 fëmijë dhe gjysma e tyre kanë qenë ende të vegjël. Ne e kemi kthyer babanë tonë në gjysmën e rrugës dhe i kemi thënë të shkonte te nëna, e cila ndodhej në një përrua me fëmijët e vegjël. Mirëpo, pasi është larguar dhe ka dëgjuar të gjitha ato të shtëna, ai nuk ka mundur të qëndrojë larg. Fati e ka dashur që ai të takohej pikërisht me vëllain Qerimin para se të plagosej. Në momentin e plagosjes, pikërisht babai e ka bërë tërheqjen e tij në rrethana tepër të vështira, i ndihmuar nga luftëtari i lirisë, Eroll Rexhepi”, tha ai.
Pikërisht gjatë këtyre luftimeve, Qerim Gjocaj u plagos rëndë. Ai ishte pozicionuar pranë një rruge duke goditur një mitralier serb të vendosur mbi një automjet të blinduar. Pas neutralizimit të tij, nga prapa bunkerit dolën dy ushtarë të tjerë serbë, të cilët hapën zjarr në drejtim të tij.
“Unë nuk e dija nëse duhej të gëzohesha apo të mërzitesha, sepse deri atëherë e mendoja të vdekur. Pastaj fillova të shqetësohesha se deri në çfarë mase i ishte amputuar dora. E kam njoftuar familjen dhe kam qëndruar me Qerimin rreth një muaj në spital. Gjatë asaj kohe i kam kryer të gjitha obligimet për të, si një prind për fëmijën e vet”, tha ai.
Ai theksoi se, pavarësisht plagëve dhe pasojave që ka bartur ndër vite, Qerimi edhe sot do të ishte i gatshëm t’i përgjigjej thirrjes për atdheun.
Gjocaj shtoi se njerëzit jo gjithmonë kanë ditur ta vlerësojnë sa duhet sakrificën e vëllait të tij, gjë që, sipas tij, ia ka vështirësuar jetën. Megjithatë, ai nënvizoi se edhe sot, po t’i jepej mundësia, Qerimi do të vazhdonte të jepte gjithçka për vendin e tij