Raporti final për trajtimin e rastit të pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit ka konstatuar se institucionet dështuan në parandalim.
Ani pse Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti pati paralajmëruar masa ndëshkuese, ende nuk janë ndërmarrë veprime.
Komunës së Lipjanit i është rekomanduar që të marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës të QPS-së.
“Nga raporti me të gjeturat dhe rekomandimet për ndërmarrjen e veprimeve disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës të QPS-së, si dhe në përputhje me ligjin përkatës për zyrtarët publik, me datë 16.04.2026 i është dorëzuar Komunës së Lipjanit rekomandimi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Punë dhe Familje.“Nuk janë proceduar masat, ende janë duke u proceduar. Është proceduar raporti, e kemi pranuar raportin dhe kemi vazhduar tutje me procedurat. Nuk mundem më shumë me fol”, tha ai shkurt për KosovaPress.
Edhe drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Makfirete Shamolli ka hezituar të flas, duke thënë “jo, unë nuk kam marrë raportin”.
Po ashtu, është bërë e ditur se Ministria për Punë u ka dërguar komunave letër me shkrim me sugjerime për ndërmarrjen e veprimeve “që do të kontribuonin në rritjen e kapaciteteve të Qendrës për Punë Sociale dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve”.
KosovaPress e ka pyetur Ministrinë edhe se ku ndodhet fëmija pas lirimit nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK). Kjo e fundit pati thënë se pesëvjeçari është marrë nga Qendra për Punë Sociale të Gjakovës.
Ministria për Familje nuk ka treguar se në cilën qendër ndodhet, përveç që ka theksuar se “Familja është në mbrojtje të Qendrës për Punë Sociale, është i vendosur në strehim dhe është në përkujdesje institucionale të QPS-së”.