Importi nga Serbia rritet mbi 100 për qind, përkeqësohet bilanci tregtar në Kosovë
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Importi nga Serbia rritet mbi 100 për qind, përkeqësohet bilanci tregtar në Kosovë
import eksport
06/07/2025 - 11:55
Linku u kopjua

Importi i madh ka vendosur Kosovën në një pozitë të pafavorshme ekonomike, me një deficit enorm të lartë tregtar. Ky bilanc negativ tregtar po vazhdon ta dëmtojë vendin, kur kihet parasysh niveli i ulët i eksporteve të Kosovës si pasojë e mungesës së subvencioneve dhe politikave jo të favorshme për prodhuesit vendor, raporton KosovaPress. 

Importi i madh ka vendosur Kosovën në një pozitë të pafavorshme ekonomike, me një deficit enorm të lartë tregtar. Ky bilanc negativ tregtar po vazhdon ta dëmtojë vendin, kur kihet parasysh niveli i ulët i eksporteve të Kosovës si pasojë e mungesës së subvencioneve dhe politikave jo të favorshme për prodhuesit vendor, raporton KosovaPress. 

Përveç kësaj, mallrat e Serbisë janë rikthyer fuqishëm në tregun e Kosovës këtë vit, pas një uljeje në vitet e fundit. Kosova ka tejkluar dyfishimin e importit të produkteve me origjinë serbe në pesë mujorin e parë të këtij viti krahasuar me periudhën përkatëse të vitit 2024.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosëvës, vendi ynë nga Serbia, vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti ka importuar mallra në vlerë 91 milionë euro apo 49 milionë euro (116 për qind) më shumë se në kohën e njëjtë të vitit të kaluar që ishin 42 milionë euro. 

Ndryshimi i masës së sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar ka përshpejtuar rrjedhën e mallrave serbe në Kosovë. 

Ndërkaq, marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Gjermanisë janë duke u thelluar gjithnjë e më shumë nga viti në vit.

Gjermania, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, është partneri i parë i Kosovës sa u përket importeve në kohën janar-maj, e cila këtë vit ka lënë Turqinë në vendin e dytë me një diferencë të vogël. 

Dogana e Kosovës në një përgiigje për KosovaPress, bënë të ditur se 12.7 milionë euro ka rënë vlera e eksportit të mallrave të Kosovës gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkaq, vlera e importit është rritur afro 380 milionë euro nga janari deri në maj të vitit 2025, krahasuar me periudhën përkatëse të vitit 2024.

Referuar të dhënave të Doganës së Kosovës, në muajt janar-maj 2025, vlera e eksportit nga Kosova është mbi 356 milionë euro, derisa në këtë periudhë të vitit të kaluar ishte rreth 369 milionë euro. Derisa diferenca në këto shifra kalon shifrën prej 12 milionë euro.

Në anën tjetër, vlera e importit në pesëmujorin e parë të këtij viti është mbi 2 miliardë e 760 milionë euro, derisa në janar-maj 2024, kjo shifër ishte mbi 2 miliardë e 380 milionë euro.

 

Arsyet e rënies së eksportit dhe rritjes së importit vlerësohen ndryshe nga ekonomistët. 

Njëra palë thekson ndikimin e politikës dhe mungesën e bashkëpunimit me sektorin privat, ndërsa pala tjetër i atribuon këto zhvillime dobësive strukturore në ekonomi, përfshirë bazën e dobët prodhuese, mungesën e inovacionit dhe boshllëqet në tregun e punës.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu potencon se arsyet kryesore që rënies së eksportit dhe rritjes së importit lidhen ngushtë me ndërhyrjen e politikës në ekonomi dhe mungesën e bashkëpunimit me sektorin privat.

Ai vlerëson se agjenda politike në Kosovë po e ngulfat zhvillimin ekonomik, ndërsa mungesa e dialogut dhe partneritetit publiko-privat po e dobëson seriozisht sektorin prodhues.

https://kosovapress.com/keto-jane-produktet-me-te-eksportuara-dhe-importuara-ne-vitin-2024

Në anën tjetër, drejtori Programor në Institutin Riinvest, Visar Vokrri thotë se rënia e eksporteve dhe niveli i lartë i deficitit tregtar në Kosovë lidhen kryesisht me sfida të thella strukturore në ekonominë e vendit.

Ai thekson se një nga arsyet kryesore është baza e dobët prodhuese, e cila sipas tij kufizon kapacitetin e Kosovës për të eksportuar në mënyrë konkurruese.

Për të ndryshuar këtë trend, Vokrri thekson nevojën për politika të posaçme që e bëjnë sektorin e eksportit më atraktiv, përmes masave të qarta për mbështetjen e eksportuesve dhe nxitjen e sektorit privat drejt inovacionit.

Ndërkaq, sipas Gërxhaliut, për të ndalur trendin negativ në eksport, Kosova ka nevojë për stabilitet politik.

Ai thekson gjithashtu nevojën për përmirësim të imazhit të vendit përmes një diplomacie aktive politike dhe ekonomike, në mënyrë që sipas tij të largohen sanksionet ekonomike.

Prodhuesit në Kosovë, vazhdimisht iu kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të krijojnë politika të favorshme fiskale për të rritur eksportin.

Krahas rritjes enorme të importit, deficiti tregtar gjatë muajve janar-maj 2025 është thelluar në 2.4 milliardë euro. 

Krahas kësaj, top tri shtetet e para që Kosova pranoi importe në muajt janar-maj të vitit 2025 janë Gjermania me rreth 384 milionë euro, Turqia me 381 milionë euro, pasuar nga Kina me mbi 329 milionë euro. Pas këtyre, tri shtetet e tjera që sjellin mallra në Kosovë janë Shqipëria, Italia dhe Maqedonia e Veriut.

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës dërguar për KosovaPress, gjashtë shtetet e para të cilat pranuan eksport nga vendi ynë gjatë këtyre muajve janë Maqedonia e Veriut me mbi 54 milionë euro, pastaj Shqipëria me mbi 52 milionë euro, pasuar nga Gjermania e Zvicra. Ndërkaq, në vendin e pestë është Mali i Zi, e cila në pesëmujorin e këtij viti pranoi mallra nga Kosova në vlerë prej afro 21 milionë euro.

Në vitin 2024, Kosova shënoi një rekord historik për import të vlerës së mallrave.

Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka eksportuar mallra në vlerë vetëm 889 milionë euro, ndërsa, për herë të parë ka importuar 6.38 miliardë euro brenda një viti.

Në vitin 2023 vlera e eksporteve ka qenë 819 milionë euro, importi po ashtu 5 miliardë 878 milionë euro.

Në vitin 2022 eksportet kanë qenë 920 milionë euro, importet 5 miliardë e 639 milionë euro, më 2021 ishin 755 milionë eksporte, kurse importet 4 miliardë e 684 milionë euro.

Më 2020, vlera e eksporteve ishte 474 milionë euro, ndërsa 3 miliardë e 296 milionë importe.

https://kosovapress.com/admin/importi-nga-turqia-arrin-shifra-rekorde-thellohet-dificiti-tregtar/

/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026