Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një konferencë për shtyp me gazetarë nga vendet e Bashkimit Evropian, ku edhe prezantoi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për realizimin e objektivit kombëtar të anëtarësimit në BE.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha theksoi se procesi i integrimit ka hyrë në fazën më të rëndësishme për vendin, duke nënvizuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një objektiv politik, por një prioritet kombëtar që mbështetet nga i gjithë spektri politik dhe shoqëria shqiptare.
“Ajo çfarë e bën të veçantë për Shqipërinë është se nuk është vetëm qeveria, vetëm shumica por i gjithë spektri politik e mbështet këtë proces, e gjithë shoqëria nuk ka asnjë parti politike që nuk e mbështet anëtarësimin e Shqipërinë në BE. Kjo është unike në Evropë sepse të gjithë në këtë vend e kanë dhe e ndajnë këtë objektiv. Shqipëria do të anëtarësohet në BE. Kjo ka qenë kështu që prej 35 vitesh, që prej rënies së komunizmit, ka qenë busulla jonë, në gjithçka ka ndodhur në këtë vend. Anëtarësimi në BE ka qenë themelor nuk ka pasur asnjë politikë, asnjë ligj të miratuar, asnjë procedurë standarde veprimi që nuk e ka pasur në themel këtë objektiv”, tha ai.
Sipas tij, procesi i negociatave kërkon angazhim të pandërprerë dhe përfshin të gjitha institucionet e vendit, duke e cilësuar integrimin evropian si një projekt mbarëshoqëror.“Ky proces nuk ka asnjë ditë pushim. Është një proces pune 24 orë në ditë. Ka nevojë për kontributin e të gjithëve dhe të gjithë këtë e përmbledhim me një fjalë që janë reformat, kjo është fjala kyçe që përdorim dhe me Brukselin. Të gjitha përkthehen për ne në reforma. Kjo nuk bëhet vetëm nga një ekip i vogël nga një institucion por nga i gjithë ansambli qeveritar, nga institucionet e tjera të pavarura nga parlamenti. Ky është një proces që përfshin të gjithë shoqërinë. Është një projekt mbarëshoqëror. Të gjithë në këtë vend kanë diçka për të bërë për të kontribuar në këtë proces dhe kjo është një prej linjave të komunikimit që ne kemi si qeveria dhe nga kjo ministri unë e kam se asnjë nuk është i përjashtuar sepse ne kemi nevojë për kontributin e të gjithëve”, tha ministri.
“Ambicia jonë është e mirëplanifikuar. Ne kemi një plan për mbylljen e kapitujve. Disa prej këtyre hapave janë zbatuar tashmë, i çelëm negociatat dhe për 11 muaj patëm mundësi që të çelnim të 33 kapitujt, të 6 grupkapitujt. E bëmë sepse ishim të përgatitur sepse kishim një ekip fantastik të grupit negociator, e bëmë sepse kishim një mbështetje vendosmëri dhe angazhim qeveritar dhe politik, por e bëmë gjithashtu sepse patëm partneritetin me institucionet e BE-së, kryesisht me Komisionin Evropian me të cilin punojmë ditë pas dite, por edhe mirëkuptimin e shteteve anëtare. Asgjë nga këto nuk mund të ndodhë, nëse këto tri komponentët nuk bëhen bashkë”, tha Hoxha.
Hoxha tha se shpresojnë që të mbajnë këtë ritëm këtë vrull dhe të vijohet me fazën tjetër në javët që vijnë.
Hoxha shtoi se vendet kandidatet që japin rezultate të mund të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur përpara anëtarësimit.
“Për ne integrimi gradual është aksesi përpara anëtarësimit, por nuk mund të jetë shtyrje, nuk mund të jetë një sallë pritje, një zëvendësues. Sepse ne po bëjmë reformat, po përmbushim kushtet po plotësojmë angazhimet dhe presim që BE të mbajë pjesën e vet të zotimit. Kur flasim bazuar në meritë, jemi plotësisht dakord dhe aderojmë në të. Ata që bëjnë përparime dhe të marrin shpërblimin. Sigurisht kjo ka të bëjë dhe me besueshmërinë e procesit”, tha ai.
Hoxha theksoi nevojën për një komunikim më të fortë me opinionin publik në vendet anëtare të BE-së, duke argumentuar se zgjerimi duhet të mbështetet mbi meritën, raporton ATSH.
“Pra, ideja është që anëtarësimi në BE është për ato që përmbushin kriteret dhe aderojnë në vlera. Kushdo që i beson Evropës të argumentojë në favor të zgjerimit, bazuar në meritë dhe jo në rrugë të shkurtra. Kur flasim për koston e zgjerimit është shumë e lartë, është Komisioni Evropian janë institucionet evropiane që thonë sa e kushtueshme do të ishte për Evropën, nëse zgjerimi do të dështonte dhe nuk do të kuptonte se ky moment është thelbësor për Evropën dhe të ardhmen e saj. Nëse Evropa nuk merret me fqinjët atëherë besueshmëri e Evropës do të ishte e ulët”, tha Hoxha.