Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se qytetarët e Kosovës janë të orientuar drejt Evropës dhe nuk meritojnë një qeverisje tjetër përveç asaj euroatlantike, duke theksuar se kjo është rruga në të cilën Lidhja Demokratike e Kosovës beson dhe punon prej 37 vjetësh.
Ai ka theksuar se muaji prill do të jetë vendimtar për të parë nëse ekziston vullnet politik dhe gatishmëri për bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike. Sipas tij, pa marrëveshje dhe kompromis nuk mund të ketë rezultat, duke shtuar se pragmatizmi dhe kompromisi janë vlera politike dhe jo dobësi.
Në fund, ai ritheksoi se sa më shumë të rritet mbështetja politike, aq më e madhe bëhet përgjegjësia për ta ndarë pushtetin dhe për të bashkëpunuar në interes të vendit.