Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të mbajtur në Sofje të Bullgarisë më 10 qershor 2026.
Në fjalimin e saj, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar rolin e SEECP-së si një platformë kyçe për stabilitetin e rajonit. Haxhiu dënoi ashpër agresionin rus kundër Ukrainës dhe nënvizoi se pasojat e tij po prekin sigurinë në gjithë Evropën, përfshirë edhe Evropën Juglindore.
Në këtë kontekst, U.D. Presidentja kërkoi avancim të mëtejshëm të procesit të integrimit, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, duke theksuar se procesi duhet të jetë meritokratik dhe i bazuar në standarde.
“Mbi 90 për qind e qytetarëve tanë e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga nivelet më të larta të mbështetjes në rajon. Ky përparim është konkret, i matshëm dhe duhet të njihet. Prandaj kjo duhet të çojë në një vendim për statusin e vendit kandidat, dhe ne jemi të gatshëm ta nisim punën për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi SEECP-në si një mekanizëm të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe ritheksoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit.