Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, pas vendimit të djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës për refuzimin e kërkesës për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
Haxhiu theksoi se ky veprim është ndërmarrë në zbatim të vendimit të institucionit kompetent dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 20 korrik ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të shtatë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës. KPK-ja i dërgoi te institucioni i Presidentit emrat e prokurorëve për lirim nga detyra. Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.
Ish-prokurorët serbë kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit./KosovaPress/