HAMC 2026 mbledh në Prishtinë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të mjekësisë estetike
Në Courtyard by Marriott Prishtina është mbajtur edicioni i parë i HAMC 2026 – Hermes Aesthetic Medicine Congress, një organizim profesional që solli në fokus zhvillimet më të fundit në estetikë, anti-aging dhe mjekësi rigjeneruese, duke mbledhur qindra profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë të kësaj fushe, raporton KosovaPress.
Ngjarja nisi me regjistrimin e pjesëmarrësve dhe fjalët hyrëse, për të vijuar më pas me sesione të avancuara shkencore. Gjatë ditës u trajtuan tema të rëndësishme si qasjet moderne ndaj anti-aging, trajtimet jo-invazive dhe përdorimi i teknologjive të reja si eksosomet dhe polinukleotidet në rigjenerimin qelizor.
Ekspertë të njohur të fushës prezantuan praktikat bashkëkohore, ndërsa demonstrimet live ofruan shembuj konkretë të aplikimit të teknikave të biorevitalizimit dhe trajtimeve estetike të gjeneratës së re. Në pjesën e dytë të ditës, u prezantuan gjithashtu produkte dhe teknologji nga kompani lider të industrisë, përfshirë toksinën botulinike, mbushësit dermalë dhe trajtimet biostimuluese për përmirësimin afatgjatë të cilësisë së lëkurës.
Kongresi përfshiu edhe mundësi rrjetëzimi dhe shkëmbimi profesional, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim mes mjekëve dhe profesionistëve të mjekësisë estetike në Kosovë dhe më gjerë.
Në përmbyllje të kongresit, organizatori Laurit Muja e vlerësoi këtë organizim si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit në vend.
“ HAMC, Hermes Aesthetic Medicine Congress, është kongresi i parë i mjekësisë estetike në Kosovë, i organizuar nga Hermes Pharm Group. Hermes Pharm Group është distributor i pajisjeve mjekësore edhe i produkteve farmaceutike, që ka reprezentacion shumë brende të njohura botërisht. E përmes tyre kanë organizuar një hap i parë për vendin tonë, ku ka sjellë mjekë nga e gjithë bota për t'ardhur dhe me prezantuar produktet, me prezantua teknikat, me prezantua profesionalizmin botëror në vendin tonë. Kjo është diçka që i ka mungua vendit tonë edhe ne po presim që ky është hapi i parë, e në t ‘ardhmen shumë prej shoqatave mjekësore t’i bashkohen këtij hapi që ta organizojmë një diçka edhe më t’madhe, edhe kjo të bëhet vit pas viti si pjesë e një edukimi për gjeneratat e ardhshme, edhe besoj që ky është një standard të cilin bota e ka e neve na ka mungua, kështu që besoj që ta arrijmë së shpejti.”, tha ai.
Ai shtoi se pritja e organizatorëve është që ky të jetë vetëm fillimi dhe që në të ardhmen këtij rrugëtimi t’i bashkohen edhe më shumë shoqata mjekësore, në mënyrë që ngjarja të rritet nga viti në vit dhe të shndërrohet në një platformë të qëndrueshme edukimi për brezat e ardhshëm.
Muja bëri të ditur se në kongres kanë marrë pjesë rreth 200 deri në 300 profesionistë nga fusha të ndryshme si dermatologjia, kirurgjia plastike, kirurgjia maksilofaciale dhe mjekësia e përgjithshme, ndërsa ekspertë ndërkombëtarë kanë ardhur nga vende si Londra, Greqia dhe Suedia.
Duke folur për risitë e prezantuara, ai veçoi edhe një zhvillim të rëndësishëm për tregun kosovar, duke theksuar se së shpejti mjekët do të kenë mundësi ta sigurojnë në mënyrë të rregullt dhe të duhur një produkt që ka munguar për një kohë të gjatë në treg: toksinën botulinike.
“Risitë e ndryshme janë-njëra prej produkteve kryesore, e cila është regjistru që ka mungu që 25 vjet regjistrimi i tij në shtetin tonë, edhe që është bë emër këtu kohëve të fundit. Kështu që besoj se shpejti do ta kenë mundësinë secili mjek ta marrë atë produkt në mënyrë të rregullt edhe në mënyrë të duhur. Botulinum toxin.”,shtoi ai.
Ndërkaq, mjekja estetike Iva Vaso e vlerësoi këtë organizim si një hap të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin shqiptar.
“Kongresi HAMC 2026 është vërtet një nismë për t’u duartrokitur, jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për shtetin shqiptar. Unë uroj sikurse e thashë dhe pak më herët që ky kongres të bëhet një traditë dhe ta ketë jetën sa më të gjatë në mënyrë që të shërbejë si platforma ku trajnohen, edukohen në vazhdim të gjithë profesionistët e mjekësisë estetike. E përsa i përket kongresit, risitë janë të shumta. Unë do të përmendja atë më kryesoren në fakt që është për t’u duartrokitur fort, Kosova është vendi i parë në trevat mbarëshqiptare që ka arritë me regjistrua toksinën botulinike. Është për t’u duartrokitur vërtet. Uroj që së shpejti të ndodhi dhe në Shqipëri dhe t’i largohemi informalitetit. Përsa i përket risive të tjera pastaj, unë do të thosha që është një kongres i cili ka sjellë emrat dhe firmat më të njohura në fushën e mjekësisë estetike dhe rigjenerative, marka të cilat na bëjnë krenarë ne si profesionistë, por mbi të gjitha na japin sigurinë për t’ia dorëzuar lëkurës me profesionalizëm dhe duke pasur në drejtuesi shëndetin e lëkurës”, tha Vaso.
Sipas saj, HAMC 2026 është një nismë që meriton të kthehet në traditë dhe të shërbejë si platformë e vazhdueshme trajnimi dhe edukimi për profesionistët e mjekësisë estetike. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e sjelljes në Kosovë të emrave dhe markave më të njohura në fushën e mjekësisë estetike dhe rigjenerative, të cilat, sipas saj, u japin profesionistëve më shumë siguri dhe cilësi në punën e tyre të përditshme.
Vaso shtoi se përfaqëson linjën ndërkombëtare Juliette Armand dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimeve profesionale për sjelljen e inovacioneve në tregun kosovar.
Kongresi u përmbyll me ndarjen e certifikatave dhe ceremoninë mbyllëse, ndërsa organizatorët paralajmëruan vazhdimin e pjesës praktike në ditën pasuese, me synimin që kjo ngjarje të shndërrohet në një platformë të përvitshme edukimi dhe inovacioni në mjekësinë estetike në Kosovë.
/Kosovapress/