Fajtori kryesor që vendi po shkon në zgjedhje të reja është kryeministri Albin Kurti, thotë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti. Sipas tij, lideri i LVV-së ka një fobi ndaj të gjithëve dhe mosbesim ndaj çfarëdo marrëveshjeje për presidentin. Ai përmend edhe partitë e tjera opozitare, meqë shton se asnjëra prej tyre nuk ka qenë e gatshme të mbështesë një figurë që nuk është e lidhur me partinë e vet. Prandaj, Haliti thekson se në situatën aktuale, ani pse ka edhe tri ditë afat kushtetues për ta zgjedhur presidentin, kjo çështje për PDK-në, është e mbyllur.
Megjithatë, Haliti në një intervistë për KosovaPress, thotë se nëse Kurti i përmbush kërkesat e PDK-së brenda afatit kushtetues, mund të ulen të diskutojnë sërish për ta zgjedhur presidentin.
“Fajtori kryesor është mosbesimi, më së pari, ndaj njëri-tjetrit. Dhe e dyta është çështja e mosbesimit që ka Albin Kurti ndaj të gjithëve. Kam përshtypje që ka fobi ndaj të tjerëve dhe nuk i beson marrëveshjeve, nuk i beson fjalës... Ky është problemi që unë mendoj se asnjë parti nuk ka qenë e gatshme me krijuar, me ideuar ose me mbështetur një figurë që nuk është e lidhur me partinë e vet... Ne kemi deklaruar që është e mbyllur. Por është e mbyllur sepse s’iu ka përmbajtur kërkesës së PDK-së Albini, respektivisht VV-ja. Por unë besoj që ne nuk jemi në luftë, nuk jemi në gjendje lufte mes vete. Kemi mospajtime dhe nëse përmbushen kërkesat e PDK-së dhe Albini është i gatshëm me e biseduar konkretisht për qëndrimet që i ka PDK-ja, unë besoj që nuk do të kishte pengesa për t’u takuar prapë”, thekson ai.
Haliti kritikon Kurtin se ka bërë akrobacione për të mos pasur një emër të opozitës për president. Ai nënvizon se vendit i duhet një president që është figurë garantuese që zbaton Kushtetutën dhe jo urdhra politikë.Haliti për KosovaPress tregon edhe detaje për mënyrën e komunikimit të kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ai shton se ky lloj komunikimi nuk i ka pëlqyer, sidomos mënyra se si ftohen dhe aranzhohen takimet për ta zgjedhur presidentin.
“Unë e kam parë komunikimin se na ka treguar Bedriu, komunikimin me SMS. Nuk më ka pëlqyer mënyra se si i fton kolegët ose po i quaj homologë, qoftë edhe kundërshtarë politikë. Po ti i thirr, të gjithë jemi të thirrur... E thirr me takim, i thotë, jam i gatshëm me u takuar me juve në zyrën ku janë takuar ata, me datën kaq e hënë, me datën kaq e martë, kaq ora, me datën kaq të enjten, kaq ora, edhe zgjidhe merre ti kur po do me ardhur...”, thekson Haliti.
“Zgjedhjet e reja, unë nuk kam parë sondazhe, nuk e besoj që do të ndryshojë shumë. Por mendohet që Vetëvendosja do të ketë rënie të madhe... Ekziston mundësia në qoftë se vazhdojmë kështu, me pasur edhe një palë zgjedhje të tjera. Sepse nëse s’mundet me u zgjedhur presidenti, prapë ka zgjedhje të tjera... Nuk ka garancë. Varet nga votat. Në qoftë se nuk është zgjedhur tani, kërkesat kanë me qenë të njëjta edhe pas këtyre zgjedhjeve nga partitë opozitare... Dhe nëse nuk realizohen, prapë duhet me shkuar në zgjedhje”, përfundon ai.