Kur Komisioni Evropian paraqiti te vendet anëtare propozimet e tij për paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë më herët gjatë këtij muaji, një sugjerim kyç ishte ndalesa në Zonën Shengen për çdokënd që ka luftuar për ushtrinë ruse apo milicitë pro Kremlinit në Ukrainë gjatë katër vjetëve të fundit.
Fillimisht kishte pak detaje, por tani po zbulohen më shumë informacione, shkruan REL, transmeton KosovaPress. Estonia ishte shteti i parë që sinjalizoi që hyrja e rusëve në BE mund të jetë problem, duke u tërhequr vërejtjen kryeqyteteve të tjera të BE-së se rreth 1.5 milion shtetas rusë kanë marrë pjesë në operacionet ushtarake në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022, ndërkaq afër 650.000 të tjerë janë në shërbim aktiv ushtarak. Talini po ashtu paralajmëroi se ka një lidhje mes ish-ushtarëve dhe rritjes së dhunës brenda Rusisë: Vlerësohet se 180.000 të burgosur janë rekrutuar për të shërbyer në njësitet speciale të ushtrisë dhe shumë nga ta veçse u janë rikthyer aktiviteteve kriminale.
Teksa lëshimi ose refuzimi i vizave është kompetencë kombëtare, një qasje më gjithëpërfshirëse e BE-së do të ishte e nevojshme që këto ndalesa të funksiononin. Prandaj, shtetet anëtare të BE-së – si gjatë samitit të liderëve në mars, ashtu edhe tani në qershor – i kanë kërkuar KE-së që të përgatisë vlerësime të ndryshme mbi mënyrat për ta bërë më të lehtë ndalimin e këtyre personave. Javën e kaluar, KE-ja dorëzoi një vlerësim prej tre faqesh, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, mbi çështjen e “mënyrave të mundshme për adresimin e çështjes së luftëtarëve rusë”, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për këtë temë – si dhe për sanksionet e tjera – deri në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së më 13 korrik në Bruksel.
Çfarë përmbajnë propozimet?Megjithatë, kjo ende nuk ka parandaluar ardhjen e shtetasve rusë në numër të madh me viza turistike, shpesh të lëshuara nga shtetet jugore të BE-së që varen nga turizmi.
Ky ndryshim do t’u ofronte shteteve anëtare të BE-së udhëzime shtesë se si t’i vlerësojnë aplikimet nga ish-luftëtarët rusë, duke theksuar veçanërisht se barra e provës duhet të jetë mbi aplikantin dhe jo mbi konsullatën e shtetit anëtar të BE-së që e shqyrton aplikimin.
Një masë tjetër, me efekt afatgjatë, parashikon përditësimin e Kodit të Vizave të BE-së – legjislacionit që rregullon të gjitha llojet e vizave Shengen. Nëse miratohet me shumicë të kualifikuar të shteteve anëtare (55 për qind e 27 vendeve të BE-së, që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së), kjo do t’i mundësonte bllokut të vendosë për pezullim, refuzim ose kufizim të përgjithshëm të aplikimeve për viza të paraqitura nga “shtetas të vendeve të treta që paraqesin rreziqe konkrete për sigurinë, rendin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të BE-së”, sipas një vlerësimi të KE-së.
Propozimet për ndryshimin e kornizës ligjore në nivel të Bashkimit Evropian tashmë janë duke u përgatitur dhe mund të paraqiten për miratim në fillim të vitit 2027.