Mitrovica ruan ende jehonën e zërit të tij. Një zë që dikur mbushte skenat, rrugët dhe shtëpitë e qytetit me muzikë. Haki Misini ishte më shumë se një këngëtar. Ishte një artist që u bë pjesë e kujtesës së një gjenerate, e që la gjurmë te të gjithë ata që e njohën.
Mes tingujve të muzikës së grupit “MAK” dhe kujtimeve të miqve e bashkëpunëtorëve, jeton historia e një njeriu të thjeshtë, të afërt dhe gjithmonë me buzëqeshje. Por pas kësaj historie të mbushur me art dhe kujtime, fshihet edhe një natë që ndryshoi përgjithmonë fatin e tij.
Ishte 9 qershori i vitit 1999. Në ditën kur lufta në Kosovë po hynte në ditët e fundit, në ndërtesat e njohura si “Tre Rrokaqiejt”, në veri të Mitrovicës, forcat serbe morën me vete Haki Misinin dhe banorë të tjerë të kësaj zone. Ata nuk u kthyen më.
Në kujtimin e saj, ai nuk është vetëm një emër. Është një prani që e mbushte lagjen me jetë, një njeri që lidhej me njerëzit përmes muzikës dhe thjeshtësisë së tij.
Në ditën kur në letër ishte nënshkruar Marrëveshja e Kumanovës për ndërprerjen e luftës, në Mitrovicë nuk erdhi qetësia. Në rrëfimin e saj për KosovaPress, Emine Balaj e kujton atë mbrëmje si një çarje të papritur mes një dite me diell dhe një nate që u mbush me frikë, kur forca të armatosura hynë në ndërtesa banimi dhe nisën të nxirrnin burrat një nga një, mes tyre bashkëshortin e saj Luan Balaj dhe Haki Misinin.
Sipas saj, procesi i mbledhjes së burrave në këtë lagje ka zgjatur një orë në tri ndërtesa.
Ajo natë, sipas dëshmisë së saj, është gdhendur si një moment i frikës së papërshkrueshme. Në fillim nuk dihej çfarë po ndodhte; dukej sikur mund të rifillonte lufta, por në të vërtetë ishte fundi i saj i dhunshëm për shumë familje. Ajo përshkruan zhurmën e armëve, krismat dhe kaosin që e shoqëroi atë mbrëmje, një përjetim që ende sot i rikthehet në kujtesë.
Vdekja e Haki Misinit dhe Mehmet Tupellës u përjetua si humbje e rëndë nga të gjithë ata që i kishin njohur dhe kishin bashkëpunuar me ata në muzikë. Për bashkëpunëtorët e tyre, kjo nuk ishte vetëm ndarje fizike, por ndërprerje e një periudhe të gjatë pune dhe krijimtarie që kishte lënë gjurmë në skenën muzikore.
“Ishte shumë e dhimbshme, ishte tmerrshme, sepse këta njerëz i kam njohur personalisht, ndërsa me Hakiun edhe kam kënduar një kohë, ku kemi qenë së bashku unë, pastaj Halil Mripa që ka qenë klaviaturisti ynë, është një kushëri imi, djali i axhës sime, dhe Hakim Misini. Në fillim të bëjmë muzikë, unë mësova shumë prej Hakiut, mësova në formën e këndimit dhe nuk më besohej, besomni mua, nuk më besohej që këta njerëz nuk do t’i takoj më. Këta njerëz Serbia ua mori padrejtësisht familjes dhe neve që i deshëm shumë,” – tregoi Mripa.
Balaj e vazhdon rrëfimin duke kujtuar momentin e rivarrimit në vitin 2004. Ajo thekson se pjesëmarrja e njerëzve ishte e madhe dhe atmosfera tepër emocionale.
Mentor Mripa thotë se kënga “Tri gota”, ka mbetur një nga këngët më të veçanta dhe më të dashura, si për të personalisht, ashtu edhe për familjen e Haki Misinit. Ai kujton se kjo këngë e ka shoqëruar shpesh në paraqitje dhe aktivitete artistike, duke e interpretuar me respekt dhe emocion të veçantë për trashëgiminë që përfaqëson.
Në rrëfimin e tij për Haki Misinin dhe veprimtarinë e tij, Mentor Mripa e sjell figurën e tij me një ndjesi nostalgjie dhe respekti të thellë, duke e përshkruar si një njeri me prani të veçantë në jetën kulturore dhe shoqërore të Mitrovicës.“Jo larg këtu ka simbolikë të madhe edhe tek obelisku i grupit “MAK”, në afërsi të ndërtesës ku për herë të fundit ka qenë vokalisti Haki Misini dhe tupanisti Mehmet Tupella. Pra, do të ketë simbolikë të madhe edhe në vendosjen e obeliskut. Ky park i vogël do të quhet edhe “Parku i Rrok e Rrollit” dhe do të jetë vendtakim ku do të mblidhen artistët, ku do të mblidhen muzikantët dhe, posaçërisht, ata që e dëgjojnë rock-un e mirë dhe rock-un mirëfilli shqiptar. Ironia e fatit është se jo larg nga këtu është edhe shtëpia e djegur e Latif Berishës, i cili në luftën e fundit më 24 mars, në fillimin e bombardimeve të NATO-s, është vrarë në pragun e shtëpisë. Dhe simbolikisht, ne do ta përcjellim atë në hitin e grupit “MAK”, “Tri Gota”, me këtë simbolikë ku do të vendosen tri gjëra, tri lule. Afër jemi që edhe parku në mënyrë simbolike të përcjellë edhe historinë e grupit “MAK”, – tha Sadiku.
Sadiku thotë se familjarët janë pjesë e rëndësishme e këtij procesi përkujtimor, por se figura e Haki Misinit, Mehmet Tupellës dhe grupit “MAK” e tejkalon nivelin lokal dhe shtrihet më gjerë, duke u bërë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe muzikore të vendit.
Grupi “MAK”, i udhëhequr nga Haki Misini, mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së muzikës rock në hapësirën shqiptare, si një formacion që la gjurmë në skenën kulturore dhe u bë simbol i një epoke që ndërthuri artin me realitetin e rëndë të kohës.