Këtë fillimkorriku Kosova e humbi njërën nga gratë më jetëgjata.
Xhezide Hajdini, vdiq në ditën e dytë të këtij muaji, në moshën që sipas familjarëve ishte 112 vjeçare, por që si pasojë e regjistrimit të vonshëm, me dokumente kishte të evidentuara 6 vjet më pak.
Të bijën e ka ende gjallë, është 86-vjeçe.
Mbesa e saj, Gane Hajdini e kujton si një grua të fortë, bujare, e të dashur që nuk e ndali punën deri në moshën 80 vjeçare. Ajo madje kishte vullnetin që edhe të qëndiste rroba deri në atë kohë, derisa gjithçka mori një kthesë tjetër."Deri afër 80 e diçka ka punuar. Në moshën 84-vjeçare e ka thyer këmbën, kukën. E kemi operuar, ka ecur deri moshën 102 vjeç. Në moshën 102-vjeçe u rrëzua, prapë e ka thyer edhe protezën, këmbën tjetër, edhe ka mbetur në shtrat nëntë vjet e gjysmë. E kemi këqyr shumë, se ne jemi dy motra e dy vëllezër, e kemi këqyr shumë, se s'kemi lënë me ikë për asgjë. E kemi këqyr jo si gjyshe, po sa me pasë pasë shtatë herë nënë. Kemi ndenjur afër, nuk e kemi lënë vetëm asnjëherë. Jemi përkujdesur për të shumë edhe ka pasur një jetë të mirë, ka pasur një jetë të lumtur kur ne kemi qenë veç afër saj", tha Hajdini.
Ajo përjetoi edhe Luftën e Dytë Botërore, ndërsa mbesës ia kishte rrëfyer një moment të vështirë nga ajo kohë, derisa në këtë të fundit nuk kishte lëvizur nga shtëpia.
Zemërgjerësia e gjyshes Xhezide vërehej edhe kur vinin mysafirët, e cila e thoshte gjithmonë një shprehje “Një shtëpi që ka mysafirë, ka edhe bereqet”. Madje, kishte raste edhe kur në odën e shtëpisë bënte bukë edhe në orët e para të mëngjesit. Këtë shprehi ua la porosi pasardhësve të saj.
Gjyshja Xhezide tashmë prehet në varrezat e fshatit, pranë burrit që I vdiq 20 vjet më parë, si edhe të birit dhe resë, nënës së Ganes. Kjo e fundit, kishte vdekur vetëm dy ditë pas vjehrrit më 2007.
