Partitë politike në Kosovë kanë hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke intensifikuar punët për hartimin e listave të kandidatëve të tyre për deputetë. Deri më 12 maj, subjektet politike duhet t’i dorëzojnë listat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa paralajmërimet e shumicës prej tyre tregojnë sinjale se do të ketë kombinim të përvojës parlamentare e politike me prurje të reja.
Një gjë është e sigurt në Vetëvendosje - të gjithë deputetët e kaluar të kësaj partie do të jenë sërish në listën zgjedhore.
“Performanca e deputetëve aktualë vlerësohet siç e thashë. Kemi bërë një punë të mirë për një kohë kaq të shkurtër. Pjesa dërrmuese e deputetëve do të jenë të njëjtit, ndërkohë patjetër se do të ketë edhe emra të rinj. Do të jetë një listë përfaqësuese pasi e dini në secilën palë zgjedhje, Lëvizja i ka kushtuar kujdes përfaqësimit gjinor, kategorive të caktuara, grupeve të ndryshme sociale dhe përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme. Besoj se do të vazhdohet njëjtë edhe këto zgjedhje”, thekson ajo.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, diskutimet për listën zgjedhore po shoqërohen me qëndrimin për të garuar vetëm me identitetin e qartë të kësaj partie, ani se në të mund të vijnë e të shkrihen edhe të tjerë. Anëtari i Kryesisë, Armend Zemaj, deklaron për KosovaPress se synimi është që LDK të hyjë në zgjedhje me logon e saj, ndërsa të tjerët që pritet të bashkohen më këtë subjekt, të bëhen pjesë e këtij projekti politik.Sipas tij, ish presidentes dhe bashkëpunëtorëve të saj do t’u takojnë 20 vende nga 110 sa ka krejt lista për deputetë e Lidhjes Demokratike.
“Pavarësisht atyre marrëveshjeve që quhen marrëveshje të koalicioneve, insistimi ynë është të garojmë me logon e LDK-së dhe të tjerët të bëhen pjesë e fitores ose ambicies sonë që t’i fitojmë zgjedhjet e 7 qershorit... Lista besoj është ashtu siç ka qenë ndër listat më të mira, por kësaj radhe mund të ketë rikthim të figurave të cilat për një moment kanë qenë pasive ose jo aktive si pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ka interesime të degëve që të ketë përfaqësim të figurave, por kjo mbetet në autoritetin personal nëse njerëzit kanë ambicie. Pjesa tjetër është ajo që dihet publikisht, rikthimi me marrëveshje ose rikthimi natyral i Vjosa Osmanit në LDK. (A do të jetë bartëse e listës?) Nuk kemi kufizime, kjo është diçka pozitive pasi po japim diçka nga sovraniteti ynë politik edhe në të kaluarën kryetari i ka dhënë numrin 1 një kandidati tjetër dhe kjo nuk është risi në subjektin tonë... Oferta është gjeneroze dhe nuk ka ndonjë kufizim. Mund të jetë diku deri te njëzet persona”, deklaron Zemaj.
“Do të ketë përfaqësues prej çdo zone dhe treve. Do të jenë 110 kandidatë ashtu siç parashihen me rregullore dhe do të garojmë fuqishëm në këto zgjedhje... Besoj se do të ketë edhe emra të rinj. Meqenëse afatet ligjore dhe kohore po afrohen, data 12 maj është data kur duhet të dorëzohen listat zgjedhore, ne kemi filluar paraprakisht përgatitjet. Ju e dini se jemi në proces zgjedhor të brendshëm dhe kështu e kemi një parafushatë dhe jemi të mobilizuar në këtë proces”, deklaron Kadrijaj.
Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor si pasojë e dështimit për ta zgjedhur presidentin e ri deri më 28 prill, që ishte afati i fundit kushtetues për ta bërë këtë gjë. Votimet e së dielës së parë te qershorit janë të tretat në nivel nacional, prej shkurtit 2025. /E.Zeqiri/