Gola dhe spektakël: Barazim mes ekipit të Asllanit dhe Rashicës
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Gola dhe spektakël: Barazim mes ekipit të Asllanit dhe Rashicës
Ka përfunduar "Ndeshja e Yjeve" e organizuar nga dyshja e njohur e futbollit, Fisnik Asllani dhe Milot Rashica, e cila u zhvillua sonte për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës.
Ky takim ekzibicional mblodhi në stadiumin "Fadil Vokrri" një numër të madh të figurave publike nga politika, arti, estrada si dhe sportistë të dalluar.
Në fushë për të festuar zbritën emra si kryetari i Prishtinës Përparim Rama, këngëtarët Afrim Muqiqi, Meda e Blero, aktori Vedat Bajrami, Egzon Sahiti e shumë të tjerë, duke dhuruar një lojë të hapur që prodhoi plot 8 gola dhe u mbyll me rezultatin e barabartë 4-4.
Ndërprerjet e shumta dhe fundi i parakohshëm
Përkundër golave të bukur dhe atmosferës festive, ndeshja pati mjaft ndalesa gjatë rrugëtimit të saj. Shkak u bë numri i madh i tifozëve në tribunat e stadiumit, ku publiku i pranishëm ndërpriste lojën vazhdimisht.
Në pjesën më të madhe ishin fëmijët gjithandej tribunave ata që hynin në fushë për t'iu afruar yjeve.
Ky vërshim i vazhdueshëm i fëmijëve bëri që loja të pauzohej shpesh, gjë që çoi edhe në përfundimin e parakohshëm të ndeshjes, pasi fusha e blertë u mbush plotësisht nga tifozët e vegjël.
KosovaPress