Gjyqtarët Valentina Sopjani dhe Agron Maxhuni u zgjodhën nga sot anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radhët e Gjykatave Themelore.
E para që vjen nga Gjykata e Prishtinës mori 212 vota, derisa i dyti nga Dega e Vushtrrisë e Gjykatës së Mitrovicës, 204 sosh.
Ky proces u zhvillua pas zgjedhjeve të brendshme që u mbajtën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë e Prizren, teksa kryetari i Komisionit Zgjedhor, Ahmet Imami, tha se dje kanë pranuar njoftimin me e-mail se nga gara ishte tërhequr gjyqtari Besnik Shala.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës tash i ka 11 anëtarë, e që parashihet t’i ketë 13, ku për një anëtar nga radhët e Gjykatës Supreme, procesi është duke i ndjekur procedurat ligjore, kurse Kuvendi i Kosovës duhet ta zgjedh një anëtar tjetër në mënyrë që ta kompletojë përbërjen e KGjK-së.17:03 – 19.06
Në fjalimin para procezit të votimit, gjyqtari Maxhuni, u zotua të punojë me përgjegjësi, përkushtim të lartë në zbatimin e parimeve bazë të përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi që ka të bëjë me Këshillin Gjyqësor.
VIDEO
Kurse, gjyqtarja Sopjani tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të jetë zëri i gjyqtarëve, mbështetësi kryesor i tyre dhe institucioni që krijon kushte për punë efikase dhe profesionale.
Gjyqtarja Sopjani: KGjK-ja duhet të jetë zë i gjyqtarëve e institucioni që krijon kushte për punë efikase
VIDEO
“Përgjatë viteve të ushtrimit të detyrës si gjyqtare, kam kuptuar se forca e një sistemi gjyqësor nuk matet vetëm me ligjet që i ka në dispozicion por mbi të gjitha me kushtet, mbështetjen dhe pavarësinë që u ofrohet gjyqtarëve për ta kryer misionin e tyre. Një gjyqtar i mbështetur profesionalisht, i mbrojtur nga çdo ndikim i jashtëm është garancia më e mirë për drejtësi, cilësi dhe besim të publikut. Andaj edhe kandidatura ime mbështetet kryesisht në këto parime. Besoj se roli i anëtarit të KGjK-së duhet të jetë para se gjithash në shërbim të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor. Këshilli duhet të jetë zëri i gjyqtarëve, mbështetësi kryesor i tyre dhe institucioni që krijon kushte për punë efikase dhe profesionale”, tha ajo, raporton KosovaPress.
Mandati i dy anëtarëve të rinj do të fillojë më 8 korrik, një ditë pasi skadon mandati i dy anëtarëve aktual.