Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është dëgjuar dëshmitari Safet Ismajli në rastin ndaj Hisni dhe Bujar Ibishit, të cilët dyshohen për vrasjen e Ismet Ibishit më 12 shkurt 2025 në një kafiteri në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.
Dëshmitari Safet Ismajli, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Sahit Tmava, deklaroi se viktima kishte qenë i ulur me një person tjetër të quajtur Visar.
“E mbaj mend që ka hy vetëm Hysnia, tjetrin nuk e mbaj mend. Plumbat e parë që kanë kërsit është bo tym e mjegull aty. Jena shtri për tokë, disa kanë ikë, disa kanë dalë jashtë, disa janë hi në banjo”, deklaroi Ismajli.
Ai tha se kishte dëgjuar shumë krisma, por nuk mund të kujtonte numrin e tyre.“Ka hy brenda e kom pa që u shku tek tavolina aty i ka thon ‘deshu’ Ismetit. Pastaj ka kris alltia edhe ma sen nuk di”, tha ai.
I pyetur nga prokurori lidhur me deklarimet e mëhershme se fillimisht ishte shtënë në drejtim të këmbëve të viktimës e më pas në trup, Ismajli tha se nuk kishte mundur të shihte qartë për shkak të tymit dhe mjegullës që ishte krijuar në lokal.
Në pyetjet e avokatit të palës së dëmtuar, Festim Sogojeva, dëshmitari tha se Ismet Ibishi nuk kishte qenë vizitor i shpeshtë i lokalit.
Gjatë seancës, edhe i pandehuri Hisni Ibishi parashtroi pyetje për dëshmitarin, duke e pyetur nëse ai kishte shkuar çdo ditë në atë lokal kur kishte ardhur në pushim në Kosovë, gjë që dëshmitari e pohoi.
Ndërkaq, pyetja e Hisni Ibishit nëse viktima kishte raportitur armë në banjo apo në lokal para se ai të hynte, u kundërshtua nga avokati i palës së dëmtuar me arsyetimin se dëshmitari asnjëherë nuk kishte deklaruar se e kishte parë viktimën me armë.
Ndërsa vetë Hisni Ibishi deklaroi para trupit gjykues se dokumentacionet mjekësore “flasin vetë”.
“Unë jam këtu në burg vëlla, familja duhet me shku te mjeku. Derisa të vijnë dokumentat ato flasin vetë”, tha ai.
Avokati i Bujar Ibishit, Naim Rudari, kërkoi që nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan të sigurohet historiku i kontrolleve mjekësore dhe ankesave të klientit të tij gjatë qëndrimit në paraburgim.
Ai gjithashtu kundërshtoi propozimin e palës së dëmtuar që një aktakuzë tjetër të administrohej si provë materiale, duke theksuar se “aktakuza argumenton një dyshim të prokurorisë dhe jo një aktgjykim të formës së prerë”.“Kundërshtoj propozimet e mbrojtësve me arsyetim se çdo gjë tani e tutje shkon në drejtim të zvarritjes së procedurës sepse që nga koha e kryerjes së veprës penale, hetimeve, dëshmive të dhëna kur një herë nuk kishte pasë një shqetësim lidhur me dyshimin e ndonjë sëmundjeje. Andaj edhe kundërshtoj në tërësi propozimet e mbrojtësve“, deklaroi ai.
Gjykata refuzoi propozimin e palës së dëmtuar që një aktakuzë të administrohej si provë, me arsyetimin se ajo nuk mund të konsiderohet provë materiale.
Sipas prokurorisë, Hisni dhe Bujar Ibishi dyshohen se më 12 shkurt 2025, në një lokal në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, “të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe me dashje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin I.I., ashtu që derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit posa hyjnë në lokal i nxjerrin armët dhe shtinë në drejtim të viktimës I.I., ku goditjet rezultojnë vdekjeprurëse”.