Çfarë dihet për dy burra, që dyshohet se janë pjesëtarë të Xhandarmërisë së Serbisë, por që në publik janë përmendur si pjesë e sigurimit të Millan Radoiçiqit dhe Zvonko Vesellinoviqit - të dy në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara?
Ndërsa autoritetet serbe mohojnë se njësia speciale e policisë i ofron siguri dyshes, televizioni N1, duke u thirrur në burimet e veta, publikoi emrat e dy personave: Nikolla Millutinoviq dhe Damjan Vukiçeviq.
Analiza e një fotografie publike në portalin Nova S, me ndihmën e teknologjisë për njohjen e fytyrës, e vendos atë pranë Vesellinoviqit.
Radio Evropa e Lirë e identifikoi një person me atë emër dhe mbiemër, bazuar në informacionet e disponueshme publikisht nga mediat dhe rrjetet sociale, si anëtar të njësisë së Xhandarmërisë në Kralevë.
Sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, të dy janë me origjinë nga Kosova, ashtu si edhe Vesellinoviq dhe Radoiçiq.
Autoritetet në Beograd i hedhin poshtë këto akuza, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk i konsideron ata “kriminelë” dhe se ata nuk ruhen nga pjesëtarë të Xhandarmërisë.
Çfarë tregojnë fotografitë?
Radio Evropa e Lirë e gjeti fillimisht emrin e Nikolla Millutinoviqit në një njoftim të vitit 2021 të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.
Në fotografitë e publikuara, ai identifikohej si banor i Leposaviqit.
Duke përdorur fotografinë nga ai aktivitet dhe mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë e identifikoi Millutinoviqin si pjesëtar të Xhandarmërisë serbe.
Një vit më vonë, ai u fotografua me uniformën zyrtare të Xhandarmërisë, me stemën e njësisë dhe mbiemrin e dukshëm në uniformë, gjatë shënimit të festës së Ujit të Bekuar në Beograd.
Në një nga fotografitë e rralla publike të Zvonko Vesellinoviqit, të realizuar në prill të vitit 2025 gjatë një tubimi të Partisë Përparimtare Serbe pranë Kuvendit të Serbisë, Radio Evropa e Lirë e identifikoi sërish Millutinoviqin.Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktonte me Millutinoviqin, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me angazhimin e tij.
MPB-ja serbe nuk u përgjigj as për Damjan Vukiçeviqin, i cili lidhet me sigurimin e Millan Radoiçiqit.
Xhandarmëria e Serbisë nuk publikon listën e pjesëtarëve aktivë, pasi identiteti i zyrtarëve policorë konsiderohet informacion i mbrojtur zyrtar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 29 qershor se nuk ka informacione që pjesëtarë aktivë të Xhandarmërisë ofrojnë siguri për Zvonko Vesellinoviqin dhe Millan Radoiçiqin.
Ai u përgjigj kështu pas pyetjes së gazetarëve nëse këtë rol e kanë Nikolla Millutinoviq dhe Damjan Vukiçeviq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai gjithashtu tha se nuk e dinte se disa i konsideronin “kriminelë” personat që “ndiqen penalisht nga vende të tjera, apo nga entitete që nuk janë shtete”, duke iu referuar Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh.
Në të njëjtën ngjarje ishte i pranishëm edhe komandanti i Xhandarmërisë, Radosllav Repac, i cili po ashtu mohoi se pjesëtarët e njësisë së tij ofrojnë siguri për Radoiçiqin dhe Vesellinoviqin.
Që nga viti 2021, ai është nën sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit, i cili e akuzon për korrupsion dhe krim të organizuar.
Autoritetet në Prishtinë e kanë lidhur atë me organizimin e barrikadave dhe trazirave në veri të Kosovës, si dhe me kontrabandën e naftës, drogës dhe armëve.Në Serbi, Vesellinoviq është gjykuar dy herë për keqpërdorim të detyrës dhe parregullsi të tjera, por në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm.
Ai ka qenë partner afatgjatë biznesi i Millan Radoiçiqit.
Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Beogradi që t’i ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë, Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, me vendbanim të regjistruar në Beograd.
Xhandarmëria e Serbisë angazhohet vetëm me miratimin e drejtorit të policisë.
Detyrat e saj kryesore janë: luftimi i terrorizmit, arrestimi i personave të rrezikshëm të kërkuar dhe rivendosja e rendit publik në situata krize.
Sipas Ligjit për Policinë dhe Kodit të Etikës Policore, zyrtarët policorë nuk lejohen të kryejnë aktivitete që krijojnë konflikt interesi ose cenojnë paanshmërinë dhe integritetin e shërbimit.
Shkelje të tilla konsiderohen shkelje të rënda disiplinore dhe mund të çojnë deri te largimi nga puna.
Policët mund të ushtrojnë veprimtari shtesë vetëm me miratimin e eprorëve të tyre.
Ligji për Sigurimin Privat përcakton se shërbimet e sigurimit privat nuk bëjnë pjesë në kompetencat e policisë.Ky paralajmërim erdhi pasi u arrestua ish-shefi i Policisë së Beogradit, Vesellin Milliq, nën dyshimet se kishte fshehur prova lidhur me vrasjen e një personi që lidhej me një nga grupet kriminale në Beograd.