Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë në ditën e saj të 14-të ku qytetarët janë mbledhur sërish në kryeqytet për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij investimi.
Qytetarët u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur pankarta, flamuj kombëtarë dhe duke shqiptuar parrulla kundër qeverisë dhe klasës politike.
“Siç shihet, qytetarët kanë sjellë dhe vendosur këpucë përballë godinës së Kryeministrisë, simbol i të larguarve nga Shqipëria. Organizatorët kanë bërë thirrje që qytetarët të sjellin nga një palë këpucë për të afërmit e tyre të emigruar, në mënyrë që të ngrihet edhe më tej kjo kauzë. Protesta, e cila fillimisht nisi si kundërshtim ndaj ndërtimeve pa leje në zonën e Zvërnecit, ka kaluar tashmë kërkesat dhe shqetësimet në disa drejtime të tjera, shkruan RTSH, përcjell KosovaPress.
Në vendin e protestës është ngritur një skenë ku do të mbahen fjalimet e ditës. Pritet që mes folësve të jenë edhe emigrantë shqiptarë, të cilët kanë ardhur posaçërisht për këtë protestë. Pak më herët u takuan protestues që kishin ardhur nga Gjermania mbrëmjen e djeshme për t’u bashkuar me protestën gjatë fundjavës”, u shpreh Dunisha.“Gjatë të 14 netëve të protestës nuk është ndjekur një skenar i njëjtë dhe i mirëpërcaktuar për itinerarin e marshimit. Protesta ka qenë deri tani mjaft e qetë dhe pa incidente. Edhe sot pritet të zhvillohet në të njëjtat ujëra”, tha gazetarja Dunisha.
Gjatë protestës, qytetarët theksuan se nuk do të tërhiqen pa marrë përgjigje konkrete nga autoritetet.