Policia e Serbisë bastisi të hënën banesën dhe zyrën e analistit ushtarak, Aleksandar Radiq, në Beograd, në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Lartë Publike ka nisur për rastin e përdorimit të “topit zanor”, gjatë një proteste antiqeveritare më 15 mars 2025, njoftoi Prokuroria në këtë vend, shkruan REL, transmeton KosovaPress.
Avokati Stefan Qorda, i cili përfaqëson Radiqin, tha se Prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim për klientin e tij dhe se ai është i lirë.
“Ata, madje, kanë marrë disa kompjuterë të vajzës së tij. Ishte vërtet një kontroll shumë i gjerë, sikur të bëhej fjalë për ndonjë kriminel të madh, e që Aleksandar Radiq nuk është”, tha Qorda.
Aksionin policor dhe marrjen në pyetje të Radiqit e komentoi për televizionin Informer edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “të gjithë ata që kanë pretenduar se autoritetet kanë përdorur ‘top zanor’, do të thirren për të dhënë deklarata”.
Kjo bastisje u zhvillua tri ditë pas njoftimit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se po zhvillon hetime për lidhjet e lëvizjes studentore me rastin e “topit zanor”.
Prokuroria tha se ka siguruar informacione për një takim të studentëve protestues në janar të vitit 2025 dhe se ekziston dyshimi se pjesëmarrësit e atij takimi, pas këtyre bisedimeve, kanë filluar të punojnë në realizimin e një plani “për të simuluar një situatë”, në të cilën do të dukej se policia ka përdorur “top zanor”.
Gjatë bastisjes së banesës së Radiqit, policia i dërgoi ftesë për intervistim edhe kryeredaktorit të agjencisë së lajmeve Beta, Vojkan Kostiq.
Ai ishte të hënën në mbrëmje në një bisedë informative në Drejtorinë e Policisë Kriminale, pas së cilës u lirua, njoftoi agjencia Beta, transmetoi Shërbimi i Ballkanit i REL-it.
Asociacioni i Mediave Elektronike të Pavarura në Serbi (ANEM) shprehu shqetësim për operacionin kundër Radiqit dhe thirrjen për intervistim të redaktorit të agjencisë Beta.
“Shënjestrimi i gazetarëve dhe analistëve përbën kërcënim për lirinë e shprehjes dhe të medias në Serbi dhe kjo duhet të ndalet urgjentisht”, u tha në deklaratë.
Nga kjo prokurori është bërë e ditur për Radion Evropa e Lirë se janë siguruar raportet e institucioneve shtetërore dhe video-incizime nga kamerat e sigurisë, si dhe janë marrë në pyetje rreth 170 qytetarë.
Ndërsa disa aktivistë, hetues të pavarur dhe opozitarë pretendojnë se policia ka përdorur armë zanore, autoritetet e mohojnë një gjë të tillë.