Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, në një intervistë dhënë në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1, ka folur për reformat e fundit brenda partisë dhe konsolidimin e plotë të strukturave drejtuese.
Haradinaj ka shprehur lehtësimin dhe krenarinë e tij për rrugëtimin e Aleancës, duke potencuar se kuvendi i kaluar zgjedhor ka sjellë në krye një figurë me vlera të larta politike si Ardian Gjini.
Ai shtoi se ndryshimet e brendshme ishin pjesë e një vizioni të qartë ideologjik.
“Vërtetë jam i lehtësuar për shkak se jo vetëm që Aleanca tani ka kryetarin e ri, e kryesinë e organet e reja, por ka edhe një vizion që është shumë i avancuar, i një të djathtë vërtetë të avancuar që më jep vërtetë shpresë. Ka qenë koha me ndodh këto reforma, këto janë të gjitha vizion i kryetarit të ri, pra edhe unë besoj shumë se në këtë etapë që po hyjmë të re të Aleancës, kryetari i ri e ka marrë me shumë përgjegjësi detyrën e vet, e ndjen peshën e zhvillimeve në vend dhe po punon që Aleanca me qenë shpresa e të gjithë qytetarëve të vendit.”“Është i plotfuqishëm në bazë të statutit dhe vendimeve, shihen vendimet, shihen zhvillimet. Ardiani është kryetar i Aleancës, mua më ka nderuar me një nder si Kryetar Nderi si themelues, që do ta kem mundësinë me dhënë këshilla me mbështet Aleancën, si do ta bëjmë të gjithë ne që jemi në Aleancë, po unë nuk mbaj funksione ekzekutive, të gjitha janë kompetencë e kryetarit,” u shpreh ai.
Haradinaj theksoi se respekti për institucionin e partisë dhe për Kosovën e obligon atë që të lejojë organet e reja të kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur.