Gjukanoviq në gjyq, publikohen detajet e spiunazhit për BIA-an serbe
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Gjukanoviq në gjyq, publikohen detajet e spiunazhit për BIA-an serbe
gjukanoviqqqpamjeee
03/04/2026 - 16:19
Linku u kopjua

Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq, ka nxjerrë në pah pretendime serioze të Prokurorisë Speciale lidhur me përfshirjen e saj në veprimtari të organizuar në shërbim të inteligjencës serbe (BIA). Sipas organit të akuzës, Gjukanoviq, në cilësinë e saj si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, ka keqpërdorur pozitën dhe qasjen në informacione të ndjeshme, duke i transmetuar ato tek agjentët e BIA-s.

Prokuroria pretendon se veprimet e saj nuk përbëjnë rrjedhje të rastësishme informacioni, por një bashkëpunim të strukturuar dhe të vazhdueshëm që ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Prokurori i specializuara, Bekim Kodraliu deklaroi se ish-zyrtarja e OSBE-së përmes komunikimeve me agjent të BIA-s, kishte zhvilluar edhe takime me zyrtarë të BIA-s, si Lubina Bukviq.

Ai u shpreh se Prokuroria Speciale do të dëshmojë se Gjukanoviq në koordinim me agjentin e  BIA-s në disa raste ka krijuar situata të paqena dhe raporte fiktive në veçanti për  veprimtarinë e Polciisë së Kosovës dhe raportet vjetore të OSBE-së.

Prokuroria Speciale në seancën e sotme ka paraqitur si provë edhe dokumente që përfshijnë raporte të OSBE-së për sulmin në KKZ në Mitrovicën Veriore, më 6 dhjetor 2022, kur nuk lejoheshin të mbahen zgjedhjet lokale.

Këto raporte e akuzuara ia kishte dërguar agjentit të BIA-s, Aleksandër Vllaiq.

Prokurori Kodraliu deklaroi se dokumentet e siguruara përfshijnë analiza të brendshme të sigurisë, veçanërisht për veriun e Kosovës, si dhe raporte mbi aktivitetet e Policisë dhe takimet e nivelit të lartë. Sipas tij, komunikimet dëshmojnë se e akuzuara Gjukanoviq jo vetëm ka shpërndarë informacione të ndjeshme, por edhe ka marrë udhëzime direkte nga agjenti i BIA-s, përfshirë mënyrën e mbledhjes së informacionit dhe hartimin e raporteve.

Prokurori special, Bekim Kodraliu tha se Aleksandër Vllaiq, i cili ka pranuar fajësinë për veprën penale për spiunazh ka deklaruar se nga e  akuzuara, Jelena Gjukanoviq kishte pranuar raporte dhe informacione, të cilat i kishte dërguar më pas tek BIA.

Gjatë fjalës hyrëse të tij Kodraliu ka deklaruar se e akuzuara Jelena Gjukaonivq me dashje i ka shërbyer dhe ka ndihmuar Shërbimin Informativ Serb (BIA) për krijimin e një narrative armiqësore ndaj shtetit të Kosovës.

Sipas tij, në këtë mënyrë është rrezikuar rendi kushtetues, siguria kombëtare dhe jeta e zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës.

Prokurori Kodraliu tha se zyrtarja e Misionit të OSBE-së në Kosovë ka transmetuar informacione e dokumente tek shërbimi informativ serb.

Ai tha se e akuzuara Gjukanoviq ka keqpërdor informacionet e ndjeshme të misionit të OSBE-së duke vepruar në interes të veprimtarisë së BIA-s.

Por të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale karshi të akuzuarës, Jelena Gjukanoviq i hodhi poshtë avokati i saj, Predrag Miljkoviq, i cili deklaroi do të vërtetojë se nuk ka prova që dëshmojnë se klientja ka kryer këtë vepër penale.

Jovana Gjukanoviq, shtetase serbe dhe ish-punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dyshohet se ka qenë e përfshirë në aktivitete spiunazhi në bashkëpunim me një person tjetër, i cili gjithashtu është nën hetim nga autoritetet.

Ekzistojnë dyshime se ajo ka bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA).

E akuzuara për spiunazh, Jelena Gjukanoviq edhe në seancën e shtatorit të vitit të kaluar nuk e kishte pranuar fajësinë  në gjykimin fillestar i cili ishte mbajtur në  Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjukanoviq ishte arrestuar më 28 shkurt 2025 në pikën kufitare në Jarinje, dhe që atëherë ndodhet në paraburgim./B.Ibishi/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026