Gjatë punimeve të Kuvendit të X-të Zgjedhor të Aleancës, pas përmbylljes së pjesës solemne, delegatët votuan për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, Ardian Gjini, ku nga 461 delegatë, 453 votuan për, 2 kundër, 1 abstenoi dhe 5 vota ishin të pavlefshme.
Sipas njoftimit të AAK-së, në vijim, delegatët e Kuvendit aprovuan ndryshimet statutare, përfshirë ndryshimin e emrit të partisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në “Aleanca”, zgjedhjen e Kryetarit të Nderit, z. Ramush Haradinaj, si dhe Këshillin e Nderit.
Po ashtu, u zgjodh edhe Këshilli i Përgjithshëm, me përbërje prej 106 anëtarësh. Përbërjes së Këshillit të Përgjithshëm do t’i shtohet edhe Kryesia e re pas konstituimit, si dhe përfaqësuesit nga diaspora që kanë marrë më së shumti vota në Kuvend.
“Me sot, Aleanca e përmbyll me sukses procesin e brendshëm zgjedhor, i nisur më 12 shkurt.
Ky proces dëshmoi organizimin, unitetin dhe përkushtimin e strukturave tona në çdo nivel. Falënderojmë të gjitha strukturat, delegatët dhe anëtarët që dhanë kontributin e tyre gjatë këtij procesi”, thuhet në njoftim. Ardian Gjini është kryetar i Gjakovës dhe ka qenë nënkryetar i AAK-së. Derisa, Ramush Haradinaj ka qenë kryetar i AAK-së deri tani.