Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Republikës së Kosovës ka njoftuar se më 17 prill do të mbahet ankandi i parë i letrave me vlerë për këtë vit, në të cilin do të emetohen obligacione me maturitet pesëvjeçar në vlerë prej 20 milionë euro.
Sipas njoftimit të ministrisë, investimi në obligacione konsiderohet i sigurt, pasi është i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, ndërsa interesi i përcaktuar nga tregu mbetet i garantuar për tërë periudhën pesëvjeçare dhe është i liruar nga tatimi.
Ndërkaq, obligacionet me maturitet pesëvjeçar janë instrumente afatmesme të borxhit, që nënkuptojnë kthimin e kapitalit të investuar pas pesë vitesh, ndërsa gjatë kësaj periudhe investitorët përfitojnë interes të rregullt, në përputhje me kushtet e tregut.
Për detaje lidhur me pjesëmarrjen në ankande dhe blerjen e letrave me vlerë, Ministria e Financave u bën thirrje të interesuarve që të kontaktojnë bankat komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës, të cilat shërbejnë si ndërmjetës në këtë proces.