Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka falënderuar votuesit e tij që e rikthyen në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë Gashi thekson se rezultati i fundit zgjedhor duhet të shërbejë si thirrje për reflektim.
Ai theksoi se “është koha që LDK-ja të hapë një proces të ri zgjedhor të brendshëm, demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës. Një proces që bashkon, jo që përjashton. Që prodhon besim, jo ndarje. Që nxjerr në pah vlerat dhe energjinë më të mirë të partisë sonë”.
Postimi i tij i plotë:Ju jam thellësisht mirënjohës.
Faleminderit që zgjodhët LDK-në si shtëpinë tuaj politike dhe që, me besimin tuaj, mundësuat rikthimin tim në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mbi të gjitha, më rikonfirmuat se politika që kam përfaqësuar ndër vite vazhdon ta ketë mbështetjen tuaj. Ky është një konfirmim se bindjet e mia për Kosovën, për LDK-në dhe për mënyrën se si duhet të bëhet politika gëzojnë besimin tuaj.
Një LDK me vlerat e saj autentike. Një LDK me njerëzit më të mirë, me mendim të lirë, me demokraci të brendshme, me profesionalizëm dhe me vizion. Mbi të gjitha, një LDK fituese.
Prandaj, krahas domosdoshmërisë që vendi të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme dhe funksionale, ne kemi edhe një detyrë tjetër të madhe: të merremi me veten. Të merremi me LDK-në. Me LDK-në tuaj.
Është koha që LDK-ja të hapë një proces të ri zgjedhor të brendshëm, demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës. Një proces që bashkon, jo që përjashton. Që prodhon besim, jo ndarje. Që nxjerr në pah vlerat dhe energjinë më të mirë të partisë sonë.
Dhe vetëm me një LDK fituese mund ta ndërtojmë Kosovën që e duam: një shtet më të fortë, më të drejtë, më të zhvilluar dhe më evropian.
Le ta nisim këtë rrugëtim me guxim, me besim dhe me përgjegjësi.
Na priftë e mbara!