LDK ka plot emra që mund t’i propozojë për president të Kosovës, nëse për këtë temë ka një pajtim mes partisë që ka kryetar Lumir Abdixhikun dhe Vetëvendosjes së Albin Kurtit.
Por, sipas nënkryetarit të Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, ky subjekt nuk do të propozojë kurrkënd, përderisa nuk ka ose nuk bëhet publike një ujdi dypalëshe.
Në një intervistë për KosovaPress, Haziri i cilësoi lojë fjalësh dhe përpjekje për të krijuar “fajtorë publikë” në rast dështimi, thirrjet publike të Vetëvendosjes drejtuar opozitës për të propozuar një emër për president
“Nëse flasim për një emër konsensual, tashmë po shihet që u shterën të gjitha mundësitë që Kosovës me i dhënë një mundësi përmes një emri konsensual i cili i përfshin të gjitha partitë politike dhe të gjitha grupet etnike eventualisht... Në këtë fazë po flitet për, natyrisht për një marrëveshje LDK-LVV. Kjo është e vetmja angazhim politik që LDK-ja e ka në raport me LVV-në për të gjetur mundësinë më të mirë për zgjedhjen e presidentit të Republikës... Marrëveshja LDK-LVV bën fjalë për marrëveshje LDK-LVV, nuk bën përtej neve. Ne nuk jemi duke dalë me bërë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për me i dhënë emër edhe mundësi dikujt tjetër... Ne jemi të ftuar për me gjetur mundësi që me dhënë emrin për president. Ne jemi ftuar. Nuk i kemi ftuar ne në takim kërkënd. Ne jemi të ftuar dhe ne kemi marrë pjesë në çdo takim dhe jemi duke marrë pjesë në çdo takim. Unë uroj që kjo vonesë në zgjedhjen e presidentit të kalojë sa më shpejt në mënyrë që me u pa së paku a po shkon vendi prapë në zgjedhje, sepse këto zgjedhje janë paralajmërim edhe i zgjedhjeve të tjera”, thotë ai.Haziri la të kuptohet se në këto negociata, pos çështjes së presidentit, kooperimi me Vetëvendosjen duhet të zgjerohet edhe për bashkëqeverisje
Haziri tha se në takimet e deritashme Kurti-Abdixhiku, i pari nuk i ka kërkuar të dytit të propozojë ndonjë kandidat për president. Sipas tij, një gjë e tillë do të bëhet vetëm nëse arrihet marrëveshja në parim me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai deklaron se LDK-ja nuk po angazhohet për zgjedhje të reja, derisa tregon se a mund të jenë zgjidhje ato.