Instituti GAP ka publikuar sot analizën me titull “A ndikoi rritja e pagave në përmirësimin e dinamikës së punës të Kuvendeve Komunale?”, ku vlerësohet ndikimi i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik në funksionimin e pushtetit lokal.
Sipas analizës, ligji i zbatuar nga viti 2023 ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën e kompensimit financiar në administratën publike, përfshirë edhe asambleistët komunalë. Para hyrjes në fuqi të këtij ligji, asambleistët kompensoheshin me 150 euro pagë bazë dhe 50 euro shtesë për çdo seancë, pa dallime mes komunave. Me reformën e re, paga në Prishtinë arrin në 660 euro, ndërsa në komunat e tjera varion nga 583 deri në 650 euro, në varësi të koeficientit.
Sipas këtij raporti, të dhënat tregojnë se numri i mbledhjeve në shtatë komuna ka qenë 81 në vitin 2022, është rritur në 91 në vitin 2023, por ka rënë në 85 në vitin 2024.
“Në vitin 2022 janë miratuar 26 rregullore dhe 540 vendime, në vitin 2023 35 rregullore dhe 477 vendime, ndërsa në vitin 2024 vetëm 10 rregullore dhe 442 vendime”, thuhet në raport.
Instituti GAP thekson se këta indikatorë janë sasiorë dhe nuk matin drejtpërdrejt cilësinë e debatit apo ndikimin e vendimeve.